Jeton Mehmeti: KOSTT nuk do të mund të paguaj rrymën në veri pas muajit dhjetor

Kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti tha se kanë mjete financiare vetëm deri në fund të muajit dhjetor 2021, për të paguar rrymën elektrike në katër komunat me popullatën me shumicë serbe në veri të Kosovës. Këto komente, Mehmeti i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ai shtoi se edhe pagesa e deritashme për shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës, është duke rrezikuar likuiditetin e KOSTT-it.

“Deri më 31 dhjetor do të paguaj rrymën në veri. Pas kësaj date, KOSTT-i nuk do të ketë mundësi të mbulojë këto shpenzime. Ne do të insistojmë që Kuvendi, Qeveria dhe institucionet tjera, ta largojnë këtë barrë nga KOSTT-i”, tha ai.

Në maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka obliguar  KOSTT-in që të paguaj energjinë elektrike në veri, me propozim të Komisionit për Ekonomi.