Jeta Xharra rrëfen si arriti të marrë marrëveshjet me Serbinë

Për rreth një muaj pasi institucionet e Kosovës kishin nënshkruar letra të interesit për hekurudhë, autostradë dhe madje linjë ajrore me Serbinë, këto dokumente nuk u bënë asnjëherë publike.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese kishte bërë kërkesë për qasje në këto dokumente publike dhe qasja në këto dokumente më në fund u aprovua nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Megjithatë, kjo ministri tha që qasja përfundon tek shikimi i dokumenteve, pra gazetarët nuk kanë të drejtë t’i marrin ato me vete.

Megjithatë, Ligji për Qasje në Dokumente Publike specifikon se personi që bën kërkesën për qasje, në rast se i aprovohet, ka të drejtë të zgjedhë mënyrën e qasjes në dokumentet përkatëse.

Duke u thirrur në këtë ligj, Jeta Xharra, Drejtoreshë e BIRN dhe autore e emisionit “Jeta në Kosovë”, mori dokumentet nga Ministria.

Lidhur me këtë pati rezistencë nga Ramë Qupeva, Drejtor i Transportit Tokësor në MTI i cili tha se nuk ka të drejtë t’ia jap këto dokumente.

“Ky dokument nuk është pronësi e këtij institucioni”, tha ai mes tjerash.

Megjithatë, Xharra mori dokumentet që më pas u publikuan në KALLXO.com.

Më poshtë mund të ndiqni videon e rrugës së Xharrës për të marrë këto dokumente.