Jeta Xharra i kujton Atiqit vizitën e Osmanit dhe Kurtit te nxënësit të cilët mësojnë në kontenjerë
Një paralele prej 16 nxënës vijojnë mësimin e tyre në kontenjerë në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut.
Ndonëse para katër vitesh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani vizituan këtë “shkollë” e premtuan se do të bëhet zgjidhje për këta nxënës, aktualisht gjendja është e njejtë.
“Është në kontenjerë, nuk e kemi pa të arsyeshme me modifiku ata për shkak se jemi në përfundim, muj me thanë për caktimin e parcelës për ndërtimin e një shkolle të re, në cilën lagje më së pari është diskutabile sepse prej qytetarëve ka kërkësë për “Lagje të Boshnjakëve”- tha Atiq në debatin “Jeta në Komunë”.
Ndonëse nuk ka as parcelë të përcaktuar për këtë shkollë, i pari i komunës premton se vitin e ardhshëm do të ndërtohet një shkollë në Mitrovicë të Veriut.
“Çka muj me garantu është që na e kemi edhe një vit pushtet, në vitin 2025 në fillim veç ka me u ndërtu shkolla. Nuk kena me ndërtu na ministria e ndërton. Na e rregullojna çështjen e parcelës. Kur e kam marr pushtetin s’kam pasë staf tash kam. Shkollën që do ta ndërtojna duhet me ndërlidh me komunë të Jugut duke bërë një marrëveshje me kryetarin Hamza”- u shpreh ai.
Këtë e kundërshton, zëvëndëskryesuesi i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku i cili potencon se në këtë komunë ka objekt shkollor.
“Jemi duke iu ngja, duke kriju segregacion, nuk guxojmë të ndërtojmë shkolla etnike. Objekte shkollore ka, unë shkollën e kom kry në “Sveti sava” tash kështu quhet. Duhet me u akomodu, objekti egziston. Ata duhet me shku në shkollën “Sveti sava” shkollë e cila është në qytet të Mitrovicës. Egzistojnë dy shkolla që kanë qenë e që janë për momentin të akordume në jug. Duhet komunikimin me pasë. Në këtë vend kryetari Erden Atiq është i të gjithëve edhe i komunitetit serb”- tha Sadiku.
E çështjen e bashkëpunimit me komunitetin serb, të cilin e ngriti Sadiku, e kundërshtoi kryetari Atiq, duke thënë se i kanë dërguar ftesë të gjithë drejtorëve të shkollave në Komunën e Veriut, secilit dhe sipas këtij të fundit nuk kanë pranuar të takohen.
“Na jena taku me Drejtoreshën e Arsimit në jug. Nuk janë 16 nxënës që duhet me u integru në arsim. Neve shifrat dhe listat që na janë dorëzu janë diku 200 nxënës. I kena qu ftesë krejt drejtorëve të shkollave në komunën e veriut nuk kanë pranu me u taku me mu. Edhe shkollave të ciklit të ulët edhe atyre të mesëm iu kena dërgu email, nuk kanë pranu. Ju e dini që edhe procesi kur ka qenë për zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk kanë pranu që ato shkolla me u bo qendra të votimit”- tha Atiqi.
Erden Atiq potencoi se edhe QKMF-të janë me sistem paralel përveç njërës që gjendet afër “Shkollës së Kontenjerëve” e që është e ndërlidhur me Drejtorinë e Shëndetësisë në Jug.