
Jeta studentore brenda katër mureve - VIDEO
Jeta studentore është sfidë dhe aventurë në vete për shumë të rinj që udhëtojnë nga vendlindja drejt një qyteti tjetër.
Për Anila Ibrahimin dhe Idea Shefkiun, rutina ka ndryshuar këtë vit prej që kanë vendosur të studiojnë artin në Prishtinë.
Ato ndajnë së bashku dhomën e ndejës, të cilën e përdorin edhe për të studiuar e punuar.
Njëra studion dizajn mode dhe tjetra pikturë.
Pavarësisht dallimeve në profesion, ato kalojnë mirë me njëra – tjetrën.
Idea thotë se ka vendosur që të studiojë në Prishtinë për shkak të perspektivës për artin në këtë qytet, derisa shton se të ndajë me shoqen e saj Anilën dhomën së bashku, kanë vendosur kur ishte në shkollë të mesme.
“Anila përveç që më ndihmon shpesh herë me ide të reja, më ndihmon edhe në punimet e mia kur unë kam nevojë”, thotë ajo.
Ato përveç mobileve, kanë bartur nga Gjilani edhe pajisjet e nevojshme për studimet e tyre.
Makina e qepjes qëndron në këtë dhomë të ndejës dhe detajet kanë shumë rëndësi për to.
“Unë dhe Idea, ishim bashkë në shkollë të mesme dhe gjatë studimeve aty i kemi pasur drejtimet e përbashkëta dhe përderisa e kemi ndërruar qytetin dhe kemi ardhë në Prishtinë e kemi parë të arsyeshme të jetojmë bashkë për shkak të komunikimit të mirë dhe me i ndihmu njëra-tjetrës”, shton tjetra studente, Anila Ibrahimi.
Viti akademik në Kosovë ka filluar më 1 tetor në mënyrë të kombinuar, me ligjëratat online dhe ushtrime në fakultet.