Foto: Jeta Statovci/Facebook

Jeta Statovci zgjidhet kryetare e degës së partisë Guxo në Prishtinë

Kuvendi i degës së Partisë Guxo në Prishtinë sot zgjodhi kryetaren, kryesinë dhe delegatët e kuvendit qendror.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se kryetare e degës së Prishtinës është zgjedhur deputetja Jeta Statovci.

“Sot, me votën e mbi 270 delegatëve, Kuvendi i degës së Partisë Guxo në Prishtinë, në një atmosferë solemne dhe me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme zgjodhi kryetaren, kryesinë dhe delegatët e kuvendit qendror”-shkroi Gërvalla.

“Kryetarja e sapozgjedhur e degës së Prishtinës, deputetja e Kuvendit të Kosovës Jeta Statovci, jo vetëm që është një ndër deputetet më të spikatura të Kuvendit, por me profesionalizmin, modestinë, integritetin personal dhe paraqitjet e saj të guximshme, ndoshta më së miri ndihmon të kuptohet se çfarë është Partia Guxo”- shtoi më tej ministrja Gërvalla.

Tutje, Donika Gërvalla potencoi se Guxo është parti e atyre që nuk u bënë vegël në dëm të interesave të vendit dhe e atyre që janë në kërkim të alternativave bashkëkohore dhe të qëndrueshme.

“Guxo është sinergjia e natyrshme në njërën anë e atyre që me dekada qëndruan në skenën politike të Kosovës, pa u përkulur asnjëherë dhe pa u bërë asnjëherë vegël në dëm të interesave të vendit dhe në anën tjetër e atyre që, në kërkim të një alternative të qëndrueshme dhe bashkëkohore politike, gjetën për herë të parë hapësirën e nevojshme për t’u angazhuar për herë të parë në skenën politike të Kosovës dhe për të bindur të gjithë skeptikët që politika mund të bëhet edhe me nder dhe faqe të bardhë”- shtoi tutje Gërvalla.