Ilustrim

Jeta në konviktin e vetëm në Kosovë, ku nxënës e studentë banojnë bashkë

Në qytetin e Gjilanit në konvikt banojnë studentët dhe nxënësit. Ky konvikt i llojit të tillë është i vetmi në Kosovë. Këtë vit shkollor aty ishin të regjistruar 28 nxënës dhe 104 studentë.

Elma Shabani vjen nga Kamenica. Ajo është absolvente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Elma për t’i ndjekur studimet banon në  konvikt. Dhomën Elma e ndanë me dy bashkëbanuese të tjera. Ajo në këtë mëngjes në dhomën e saj në konvikt, në lloptop është duke ia hedhur një vështrim të fundit punimit të saj, para se të vazhdojë rrugën për në ligjërata. Jetesën në konvikt Elma e cilëson si ngrohtësi familjare të cilën e ka gjetur në mesin e shoqërisë dhe stafit të konviktit.

“Pjesën më të madhe nuk më bien me kaluar në dhomë për shkak se më duhet me i vijuar ligjëratat, pastaj edhe jam në punë, realizojë vizatime portrete me porosi. Por jetesa në konvikt është diçka e pa përshkruar, këtu e ndjejë një ngrohësi sikurse jam në familjen time”, thotë Elma për RTK-në.

Me përfundimin e ligjëratave të cilat për Elmën i vijon gjatë gjithë paradites, nëse nuk ka për të vijuar punën, pasdite e gjen në bibliotekën e Fakultetit, në të cilën e kalon kohën më të madhe të kohës për përgatitjen e provimeve dhe mësimeve të ligjëratave.

Derisa Elma është në ligjërata, në pjesën tjetër të konviktit janë nxënësit e shkollave të mesme të cilët janë banues të konviktit në Gjilan.

Drenusha Ajvazi është nxënëse e klasës së dhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Drenusha vjen nga Gadisha dhe mungesa e rregullt e transportit ka bërë që ajo të jetë banuese në konvikt.

Drenusha paradite në dhomën e saj të konviktit përgatitet për vijimin e mësimit të cilin çdo ditë e vijon pasdite prej orës 13. Deri në këtë kohë ajo lexon dhe përfundon detyrat e ditës së kaluar.

“Pjesën më të madhe e kalojë në dhomë me shoqet e dhomës, unë banojë me 2 shoqe tjera, jemi 3 vajza. Përveç si konvikt, kjo për mua është edhe shtëpi e dytë se jemi bërë si familje këtu, kam njoftuar shoqëri që nuk ma kishte marrë mendja që do i takoja ndonjëherë në jetë”, thotë ajo për RTK-në.

Nxënësit dhe studentët brenda ditës janë të ndarë secili në detyrat e tyre të shkollimit dhe studimit gjatë shumicës së kohës, por vendi ku ata bashkohen është mensa në kohën e ushqimit.

Me të përfunduar detyrat para së të vazhdojë për në shkollë, Drenusha zbret në katin e parë të konviktit dhe i drejtohet mensës.

Në korridor Drenusha takohet me Elmën e cila tashmë i ka përfunduar ligjëratat. Nën shoqërinë e njëra tjetrës ato nga kuzhinierët e mesës shërbehen me gjellën e përgatitur për këtë ditë të caktuar.

Duke e shijuar ushqimin Elma dhe Drenusha, bashkëbisedojnë për planet e të ardhmes së tyre të shkollimit. Derisa ambiciet i kanë të njëjta që të arrijnë sukses në fushat të cilat janë duke u shkolluar për ushqim kanë shije të ndryshme.

Menyja që ofrohet në mensën e konviktit në Gjilan është 6 ditore me 3 racione ditore dhe me një laramani të ushqimeve, me të cilat janë të kënaqur nxënësit dhe studentët.

“Këtu janë 3 shujta, mëngjes, drekë dhe darkë, lista është javore, është e begatë i plotëson kërkesat e studentëve. Fasulen e preferojnë më shumë edhe për shkak të traditës edhe pse është e shëndetshme. Ditën e hënë dhe të premte ka fasule, ditën e martë ka oriz, por gullashin me pire që është ditën e enjte e preferojnë më shumë studentët”, tregon kryekuzhinieri Jetullah Abdyli.

Kontrolle të përditshme bëhet nga edukatorët Pranvera Rexhepi dhe Nehat Hasani nëpër dhomat e konviktit se cila është gjendja në secilën dhomë duke marrë përshtypjet e studentëve dhe nxënësve për nivelin e pastërtisë, zhurmës dhe kërkesave që ata mund t’i kenë përballë drejtuesve të konviktit.

“Të punosh me konviktorë ose student është kënaqësi, por ka edhe lodhje nëse ka ndonjë problem. Puna e edukatorit është një angazhim pasi nxënësit që janë në konvikt janë pjesa rurale dhe shpesh e luajmë rolin e prindit për ata”, thotë edukatori Nehat Hasani.

Brenda hapësirës së konviktit, përveç dhomave e mensës është një hapësirë e ndarë edhe për aktivitete rekreative. Në kohën e relaksimin nga mësimet e ligjëratat dhe provimet, studentët e nxënësit e kalojnë kohën këtu duke luajtur ping-pong, dhe duke shikuar filma në projektor çdo të mërkure.

Fatos Qerimi drejtor në konvikt në Gjilan vë në dukje se kushtet të cilat ofrohen në këtë konvikt do të përmirësohen edhe më shumë gjatë muajve të verës në korrik dhe gusht kur pritet edhe të fillohet me renovimin, premtim ky të cilin e kanë marrë nga udhëheqësit e komunës së Gjilanit, nën menaxhimin e të cilëve është edhe konvikti.

“Kapaciteti në konvikt  është 132 shtretër, të cilat çdo vit janë të mbushura. Kushtet janë të mira por ka nevojë për investime pak më shumë, i kemi bë të gjitha kërkesat, presim nga 1 korrik me filluar me renovim, kemi nevojë te ngrohja qendrore, tek rregullimi i nyjeve sanitare në të gjitha katet, gjithashtu edhe investime në pajisje të kuzhinës. Shpresojmë që kjo të realizohet pasi kemi premtime nga udhëheqësit e komunës”, thotë për RTK-në.

Për të jetuar në konvikt dhe për ushqimin në mensë brenda muajit studentët dhe nxënësit paguajnë 35 euro./RTKLive