Fshati Bozhevc në Kamenicë, Foto: Olt Kastrati

Jeta e një francezi në një fshat të Kamenicës

Jeanlou Pasune është një djalë i ri francez, i cili jeton në një fshat të vogël afër Kamenicës, i quajtur Bozhevc.

Bozhevci është një fshat i vogël i rrethuar me male, ku jetojnë rreth 40 banorë kryesisht serbë. Pasune, i cili zotëron edhe gjuhën serbe zgjodhi fshatin Bozhevc sepse iu ofrua mundësia të punojë si vullnetar.

Në këtë fshat të bukur të Kamenicës gjendet OJQ “Gaia Kosovo” dhe Pasune është vullnetar aty. E veçanta e shtëpive të kësaj organizate është se janë të ndërtuara nga balta. Në fshatin Bozhevc jeton bashkë me vullnetarët e tjerë, me stafin e “Gaia Kosovo” dhe me kafshët shtëpiake si macet, qentë, pulat, dhitë e rosat.

Fshati Bozhevc, Kamenicë, Foto: Olt Kastrati

Francezi Pasune dhe vullnetarët e tjerë merren me Permakulturë, një disipline e re e cila përmes procesit të dizajnimit dhe duke imituar modelet ekologjike natyrore krijon sisteme produktive, stabile dhe të shumëllojshme. Kështu, Permakultura integron njeriun me mjedisin në mënyrë harmonike në sigurimin e ushqimit, energjisë, strehimit dhe nevojave të tjera materiale dhe jomateriale në mënyrë të qëndrueshme.

Pasune tregoi se nuk gjeti asgjë që i pëlqente kur studionte në Francë, andaj ai vendosi që të shfrytëzojë mundësinë për të ardhur në Kosovë. Në fshatin në të cilin ‘zhurmat’ e vetme që dëgjohen janë cicërimat e zogjëve, Pasune tha se zbuloi një vend të ri dhe një komunitet të ri.

“Dobitë janë të shëndetshme si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht, duke punuar çdo ditë në një fermë është sport në vetëvete” – thotë ai.

Ai e do faktin që dita shkon me ritmin natyror, duke u zgjuar në agim dhe duke fjetur pas perëndimit të diellit. Jeanlou nuk mund ta imagjinojë veten duke jetuar në qytet, ai do të jetonte në qytet vetëm nëse qytetet do ishin të gjelbër dhe eco-friendly.

Fshati Bozhevc, Kamenicë, Foto: Olt Kastrati

Në të ardhmen ai ka në plan të vazhdojë të jetojë këtë mënyrë jetese. Pasune tregon se jeta në fshat jep një ndjenjë të mahnitshme të bashkësisë, komunitetit dhe lidhjes me natyrën.

“Këto gjëra të thjeshta janë ato që i bëjnë njerëzit të lumtur dhe ndonjëherë njerëzit e harrojnë këtë” – shtoi ai.

Ai thotë se njerëzit duhet ta përjetojnë këtë mënyrë jetese, pasi ofron shumë më tepër mundësi për të zbuluar vende rurale.

“Shfrytëzojeni çdo mundësi për të zbuluar gjëra të reja, punëtori aktivitete dhe çdo gjë të re, kjo është mënyra më e mirë për të gjetur se çfarë ju dëshironi të bëni” – tha Pasune në një mesazh për të rinjtë e Kosovës.

Organizata “GAIA Kosovo” gjendet në Mitrovicë, Graçanicë dhe Bozhevc të Kamenicës. Kjo organizatë fokusohet në kulturën e paqes, drejtësinë sociale dhe edukimin mjedisor. GAIA promovon diversitetin kulturor, solidaritetin, mirëkuptimin dhe punën me grupet e margjilanizuara. Në fshatin Bozhevc, organizata “GAIA Kosovo” fokusohet në një jetesë permakulturore duke e mbrojtur natyrën.

Autori Olt Kastrati është anëtar i grupit të të rinjve “Respect Our Rights”.