Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Jepet fjala hyrëse në gjykimin e të akuzuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur sot seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Gjatë seancës së sotme u dha fjala hyrëse.

Në këtë seancë, aktakuza u konsiderua e lexuar, pasi e njëjta është lexuar disa herë dhe të gjithë të akuzuarit bashkë me mbrojtësit e tyre u dakorduan me këtë.

Të akuzuarit Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara u deklaruan të pafajshëm, ndryshe nga të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq që pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërsa për veprat e tjera penale që u ngarkohen në këtë procedurë thanë se nuk e ndjejnë vetën fajtorë.

Ndërsa i akuzuari Nedelko Spasojeviq fillimisht pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, më pas hoqi dorë nga pranimi i fajësisë dhe tha se nuk e pranon veprën penale ashtu siç është cilësuar juridikisht nga organi i akuzës.

Spasojeviq pritet të deklarohet rreth pranimit të fajësisë gjatë shqyrtimit të ardhshëm gjyqësor.

Në këtë seancë prezantoi dhe ish-bashkëshortja e të ndjerit Oliver Ivanoviq, Marina Ivanoviq.

Ajo deklaroi se është ftuar në cilësinë e dëshmitares dhe se në seancë ka kuptuar se është ftuar në cilësinë e të dëmtuarës, pasi e njëjta u pyet nga kryetari i trupit gjykues nëse kërkon kërkesë pasurore juridike.

Ajo shtoi se është e papërgatitur për fjalën hyrëse sot, pastaj Gjykata vendosi që e njëjta të japë fjalën hyrëse në një shqyrtim tjetër.

Prokurori i rasti, Burim Çerkini, tha se është me rëndësi të ceket se të pandehurit nuk kanë kanë vepruar si grup i vetëm kriminal.

“Është me rëndësi të ceket se këta të pandehur nuk kanë vepruar si grup i vetëm kriminal. Ekzistojnë dhe të tjerë po aq fajtorë, sa emrat e tyre mund t’i keni parë në shkresat e lëndës. Trupi gjykues do të kuptojë se personat nga të cilët janë bërë të shtëna fatale nuk gjenden para Gjykatës, pasi identiteti i tyre mbetet i panjohur”, tha prokurori Çerkini.

Ai shtoi se nga deklarimet e dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal në hierarki edhe para vrasjes. Ai po ashtu ceku se do të dëgjohen edhe dëshmitarë anonimë.

Avokati i Marko Roshiqit, Mahmut Halimi, ceku një copë letre e cila paraqet provë të rëndësishme dhe se do të dëgjohet një dëshmitar anonim.

“Vetë vëllai i tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, Miroslav Ivanoviq, ka thënë se nuk është dorëshkrimi vëllait tim në këtë copë letre”, tha avokati Halimi.

Avokatja e të akuzuarës Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq, tha se pretendimi i Prokurorisë nuk është i bazuar.

“Është e dukshme që Silvana Arsoviq si sekretare dhe bashkëpunëtore e Oliver Ivanoviqit nuk e ka pasur pozitën të cilën mund ta keqpërdorë. Një pohim i Prokurorisë është dhënë në mënyrë paushalle, pa prova, me vetë këtë bie dhe elementi bazë i pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal”, tha avokatja Filipoviq.

“Mbrojtja e kundërshton provën DVR, pasi DVR është marrë në mënyrë të kundërligjshme me procedurën dhe vetë ekspertizën ka më shumë gjëra të palogjikshme dhe të meta, në të cilat mbrojtja do i paraqesë detajisht gjatë shqyrtimit. Mbrojtja propozon që të bëhet eskpertiza e telefonit të Silvana Arsoviqit, i cili gjendet në materialet provues, në mënyrë që të vërtetohet se ajo ndonjëherë në çfarëdo mënyre përmes telefonit, numrit a rrjeti tjetër social ka qenë në çfarëdo kontakti me personat e akuzuar dhe me persona që gjenden në aktakuzë, por që s’janë të akuzuar”, shtoi avokatja Filipoviq.

Ndërsa avokati i Rade Basaras, Tomë Gashi, tha se në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, i mbrojturi i tij ka qenë jashtë vendit.

“Në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, Rade Basara ka qenë në Kroaci, ka pasur dhe 3 shefë të Policisë së Kosovës, të cilëve u ka dhënë llogari dhe pa të cilët nuk ka mundur të hapë e as të mbyllë ndonjë rast”, tha avokati Gashi.

Ai propozoi që të akuzuarit Basara t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

KALLXO.com ka raportuar se në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarëve, pritej të dëgjohen figura të larta politike.

Këtë lajm e ka konfirmuar për KALLXO.com, Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviqit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

“Me datën 6 korrik do të fillojë shqyrtimi kryesor gjyqësor dhe procesi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale, në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Në mesin e këtyre dëshmitarëve do të ketë figura të larta politike”, ka thënë avokati Damati për KALLXO.com.

Për rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq deri më tani po akuzohen gjashtë persona, ndërsa të përfshirë në këtë rast sipas Prokurorisë janë së paku edhe pesë persona të tjerë të dyshuar.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha.

Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë.

Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë për KALLXO.com se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, porse për të nuk ka aktakuzë.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.