Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jep dorëheqje zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj.

Shala mbante këtë pozitë në Qeverinë Kurti 2 që nga marsi i vitit 2020.

Lajmin për dorëheqjen e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë ajo.

“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e zëvendësministres së Drejtësisë” – tha Shala për KALLXO.com.

Arsyeja e dorëheqjes, sipas Shalës, është vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërben në detyra publike.

“Dorëheqja vjen si pasojë e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërbejnë në detyra publike. Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin për të kontribuar në ngritjen e brezave të juristëve të rinj në Republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të zëvendësministres më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike”- shtoi tutje Nita Shala.

Nita Shala tha që shërbimi në pozitën e zëvendësministres në kabinetin e kryeministrit Kurti ka qenë nder për të.

“Shërbimi në pozitën e Zëvendësministres në Kabinetin e Kryeministrit Kurti ka qenë nder për mua dhe i jam mirënjohëse për besimin e dhënë” – shtoi ajo.

Nita Shala ishte emëruar në këtë post nga kryeministri Kurti në mars të vitit 2020.

Shala është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare.

Nita Shala është doktor shkence në drejtësi.