Jep dorëheqje Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të Trepçës

Ndërmarrja Publike Shoqërore “Trepça” nga sot është edhe pa Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.

Hysen Vrajolli që e ushtronte këtë detyrë prej muajsh ka dhënë dorëheqje pas zhvillimeve të fundit në “Trepçë”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i Bordit të Përkohshëm i “Trepçës”, Sylejman Hyseni. Ai tha se Bordi e ka miratuar dorëheqjen e tij ndërsa përmendi edhe disa nga arsyet e dorëheqjes së Vrajollit.

“Po, është e vërtetë sot ka ofruar dorëheqje”, tha Hyseni.

“Ne si Bord e kemi miratuar sot në mbledhje, ai i ka përmend zhvillimet e fundit në Trepçë si arsye e dorëheqjes, sipas tij edhe disa presioneve, edhe ka dhënë dorëheqje”, tha kryetari i Bordit të Përkohshëm  të “Trepçës”, Sylejman Hyseni për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe Hysen Vrahollin, por ai nuk ka pasur qasje në telefon.

Ndërkohë, edhe sot po vazhdon ngujimi i rreth 100 minatorëve në minierën e Stan Tërgut të cilët po kërkojnë pagat.

Ditë më parë, qeveria e Kosovës ndau 1 milion euro për “Trepçën”.