Flamuri amerikan - Foto: REL/Shutterstock

Jep dorëheqje sekretari për Siguri Kombëtare

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se ushtruesi i detyrës së Sekretarit për Siguri Kombëtare, Kevin McAleenan do të largohet nga kjo pozitë, gjashtë muaj pasi ai u emërua në krye të këtij departamenti.

Largimi i McAleenan vjen disa orë pasi Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Michael McKinley, një nga këshilltarët kryesor të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo – largohet nga kjo pozitë, pas 37-vjetëve karrierë si diplomat.

Trump shkroi në Twitter se McAleenan dëshiron “të kalojë më shumë kohë me familjen e tij dhe se do të vazhdojë punën në sektorin privat”.

Presidenti amerikan shtoi se për këtë pozitë, ka shumë kandidatë siç i quan ai të mrekullueshëm.

McAleenan ishte emëruar në postin e Sekretarit për Siguri Kombëtare në muajin prill, pas largimit të Kirstjen Nielsen.

“Kam besim se Kevin (McAleenan) do të bëjë punë të mirë”, kishte deklaruar atëherë Trump.

Ndërkaq, McKinley, i cili ka shërbyer si ambasador në katër shtete në Afganistan, Peru, Kolumbi dhe Brazil, tha se vendimi për t’u larguar është për arsye personale. /21Media