Jep dorëheqje një asamblist i LDK-së në Prishtinë

Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke e mbajtur mbledhjen e radhës më gjithsej dhjetë pika të rendit të ditës.

Më fillim të mbledhjes, kryesuesi Fehmi Kupina bëri të ditur se asamblisti nga radhët e LDK-së, Fadil Aliu ka dhënë dorëheqje nga ky post “për arsyeje personale”.

Në vend të Aliut, anëtar i Kuvendit Komunal u bë Driton Rukiqi i cili edhe bëri betimin në Kuvend Komunal.

Në këtë seancë fillimisht ka qenë e paraparë që të trajtohen 18 pika të rendit të ditës. Por pak ditë më parë u ndryshua ky rend me vetëm 10 pika të rendit të ditës.

Në mesin e pikave të rendit që u larguan ishte edhe “shqyrtimi i përgjigjes nga MAPL, lidhur me vendimin për caktimin e lokacionit të pronës së paluajtshme të komunës së Prishtinës për strehimin e kafshëve”.

“Për shkak të pikave të shumta të rendit të ditës është vendosur që kjo pikë e rendit të ditës, të shtyhet dhe të dalë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e rregullt të radhës të kuvendit komunal e cila është thirrur për datën 10.05.2022”, ka bërë të ditur kryesuesi Fehmi Kupina në një përgjigje për KALLXO.com

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë e ka kthyer të jashtëligjshme vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të parcelës për strehimin e kafshëve.

Kjo Ministri ka konstatuar se hyrja e vendimit nuk është bazuar në ligjin për Planifikimin Hapësinor.

Kuvendit komunal të Prishtinës iu është kërkuar që të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor në fuqi.

Mbledhja e sotme është e treta më radhë që nga marrja e mandatit të kryetarit Përparim Rama.