Foto: Reshat Mujota/Facebook

Jep dorëheqje nga LVV asamblisti nga Shtimja

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Shtimes, Reshat Mujota, i cili ka fituar votat në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti. Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, Mujota ka deklaruar se nga sot do të jetë asamblist i pavarur.

“Sikur që jam largu nga PDK për njerëz që kanë pasë interesa personale dhe jam bashku me një subjekt që hala ma shumë ka interesa personale, tërhiqem dhe sot jam i pavarur. Deklarohem publikisht sot jam anëtar i kuvendit, i pavarur”, ka thënë Mujota.

Mujota ka theksuar se sipas tij nuk janë përmbajtur marrëveshjet e bëra dhe ka akuzuar pushtetin që nuk janë transparent në llogaridhënie.

“Nuk u përmbajtën marrëveshjet, nuk u përmbajt meritokracia. Nuk po shihet që jeni transparent dhe llogaridhënie që keni. Vetë fakti që me urdhër merret pauza, s’ka llogari në këtë Kuvend, s’ jep llogari kryetari në këtë kuvend”, tha Mujota.

Tutje ai ka cituar disa fjalë të kryeministrit, Albin Kurti, duke shtuar se e kupton bashkëqeverisjen me qytetarët e Shtimes por jo me ata të komunës së Kaçanikut.

“Po jua citoj me fjalë të Albin Kurtit se qysh i sulmoni njerëzit dhe po jua kthej se, ka të fol ti, nesër të kthehet ty: ‘Meritokraci, bashkëqeverisje’. Unë e kuptoj bashkëqeverisjen. Bashkëqeverisje me qytetarët e Shtimes, me njerëzit e komunës Shtimes e jo bashkëqeverisje me komunën e Kaçanikut”, ka shtuar Mujota.

185 vota të qytetarëve të Shtimes i dhanë fitoren Qemajl Aliut të Lëvizjes Vetëvendosje në balotazhin e 14 nëntorit dhe thyen bastionin 20-vjeçar të Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e cila u qeveris për tre mandate nga Naim Ismajli.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu doli i pari në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit me 50,67% apo 7,029 vota duke lënë prapa Naim Ismajlin me 49.33% apo 6,844 vota.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, janë mbajtur tri palë zgjedhje lokale e Shtimja ka qenë komuna që është qeverisur nga i njëjti politikan që nga viti 2009.