Jep dorëheqje kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të një situate personale shëndetësore.
Nikolla ka dhënë dorëheqje pas tri vitesh në krye të Kuvendit të Shqipërisë.
“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon” – ka shkruar Nikolla në Facebook, më 26.07.2024.
Në njoftimin e saj, Nikolla ka theksuar se është përpjekur të jepte më të mirën çdo ditë për të siguruar mbarëvajtjen e punës së Parlamentit shqiptar.
“Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju. Ju falenderoj të gjithëve dhe shpresoj që të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë” – ka thënë Nikolla.
Tutje, Nikolla ka shprehur falenderimet e saj për administratën e Kuvendit, punonjësit e shërbimeve mbështetëse, ndërsa ka lutur të tjerët që të mos spekulohet politikisht për largimin e saj nga pozita e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.
“Dua t’ju uroj megjithë zemër të gjithëve ju që të keni motivimin, angazhimin e shëndetin e plotë për të vazhduar misionin fisnik të përfaqësimit të shqiptarëve. Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap” – ka shtuar Nikolla.