Jep dorëheqje kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini

Kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, ka njoftuar se sot, më 17.08.2024, gjatë mbledhjes së bordit të RTK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së. 

Boletini ka thënë se përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.

Dorëheqja e Boletinit nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së vjen pas publikimit të një raporti të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare.

Lidhur me publikimin e artikullit të mediumit nga Bosnja e Hercegovina në portalin rtklive.com dhe më pas në edicionin e lajmeve të RTK-së ka pasur reagime të shumta.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin” – ka shkruar Boletini në Facebook.

Si rrjedhojë, Boletini ka vlerësuar se në situatën që u ndodhën, bordi i RTK-së i kishte duart e lidhura dhe për këtë arsye u bë e domosdoshme emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit dhe hapja e konkursit po ashtu sot. 

“Gjetja e një personi që e merr udhëheqjen në këtë situatë delikate ishte e vështirë. Ai që është në detyrë nuk po e bënte, patatja e nxehtë e priste dikë tjetër. Megjithatë një kandidat ishte i gatshëm ta merrte detyrën. Qëndrimi ishte që ai ta adresojë me urgjencë raportin e komisionit dhe të marrë masat sipas ligjit dhe rregulloreve, të bëhet një komunikatë dhe të kërkohej falje ndaj dy mediave të apostrofuara dhe rasti të merrte epilog shumë shpejtë. Ishte një përpjekje e fundit e imja” – ka shtuar Boletini.

Tutje, Boeltini ka thënë se dy prej anëtarëve të bordit të RTK-së votuan kundër zgjedhjes së kandidatit për ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

“Votuan kundër Radojica Mrdjinac dhe Fatime Lumi. I pari dje ishte pro që të votohet kandidati për u.d, e. Sot votoi kundër. E dyta kishte qëndrim paraprak kundër. Që nga publikimi i atij artikulli, plani i disa anëtarëve të bordit ishte i qartë, mos të ketë ndëshkim atë ditë. Data 23 korrik kur ftova mbledhje urgjente pas shkrimit joprofesional, na gjeti të ndarë në dysh, ne të fushës së mediave, unë, Arta, Safeti dhe Birolli, ishim të qartë se ai artikull kishte shkelur standardet profesionale, nuk kishte vend në RTK, duhej hequr nga ueb-sajti, duhej kërkuar falje dhe duhej suspenduar të gjithë personat e involvuar”  – ka thënë Boletini.

Sipas Boletinit, ata si bord i RTK-së kishin në përgjegjësi suspendimin e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe, Rilind Gërvalla dhe të sqarohej mirë situata për vendim final.

Për artikullin e mediumit nga Bosnja e Hercegovina që u publikua në portalin rtklive.com, Boletini thotë se disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim.

“Disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim. Mendime këto që në fund maten me vota. Megjithatë u dakorduam për një komision profesional që ta zbardhë rastin. Gjatë asaj dite veçse kisha kërkuar ekspertizë të IT-së për rastin. Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot” – ka treguar ai.

Boletini ka përmendur mbledhjen e bordit të RTK-së të datës 23.07.2024, e cila zgjati rreth tri orë e gjysmë, pas publikimit në televizionin publik të Kosovës të lajmit të mediumit boshnjak në të cilin u etiketuan dy portale kosovare.

Ai përmend se dorëheqja e tij në mbledhjen e datës 23.07.2024 ishte një ligësi dhe dorëzim para një presioni masiv të jashtëm, prandaj kishte vendosur të qëndrojë.

“Edhe pas dallimeve të mëdha në mbledhjen e datës 23 korrik. RTK-ja ishte në “flakë” dhe vendosa të qëndroj, përkundër që iniciativa për suspendimet dështoi, por dorëheqja atë ditë ishte një ligësi dhe dorëzim para një presioni masiv të jashtëm, nga njerëz të shoqërisë civile e mediave të cilët i njoh mirë, e më njohin mirë” – ka thënë ai.

Më tej, Boletini thotë se ishte i gatshëm t’i merrte të gjithë ato kritika e ofendime nga njerëzit e shoqërisë civile dhe mediat, edhe përkundër faktit se vlerëson që nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie për publikimin e artikullit të mediumit boshnjak, për të cilin thotë se me ngulm po kërkonte përgjegjësi vetëm për ta adresuar këtë rast deri në fund. 

“Qëndrimi im ishte që ky rast të mbyllet të merren masa rigoroze dhe pastaj të rishoh pozicionin tim. Por, zvarritja u bë e madhe dhe e qëllimshme. Unë nuk mund t’i mbyllë sytë para një lëshimi të madh profesional në asnjë mënyrë në asnjë rrethanë pa u ndëshkuar përgjegjësit. Tendenca për ta kaluar këtë rast vetëm me një kërkim falje është e pakapërdishme” – tha Boletini.

Tutje, ai ka theksuar se bllokohet tentimi për të emëruar një ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, në rrethanat kur, sipas tij, shkeljet janë evidente dhe të dëshmuara dhe bordi u gënjye nga stafi editorial, dhe kur zëvendësdrejtori që i ka përgjegjësitë e drejtorit nuk merr masa.

“Bllokohet tentimi për të emëruar një u.d që merr masa – duart janë të lidhura dhe qëndrimi i mëtutjeshëm është i paefektshëm dhe i pakuptimtë. RTK në këtë periudhë dy vjeçare ka pasur progres të mirë. Janë bërë punë të mëdha. Ishte sfiduese. Për mua ka qenë angazhim shtatë ditë në javë. Plani i reformës ka qenë i qartë dhe duhej edhe pak që RTK-ja ta bëjë hapin e madh. Shpresoj këtë ta bëjnë ata që mbetën e ata që vijnë” – ka përfunduar ai.