Selia e OShP-së. Foto: Kallxo.com
Jep dorëheqje kryesuesja e OSHP-së, emërohet në detyrë të re
Vjosa Gradinaj-Mexhuani ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryesuese së Organit Shqyrtues të Prokurimit, pasi është emëruar në një detyrë të re.
OSHP-ja ka bërë të ditur se Gradinaj -Mexhuani, me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, nr. 248/2024, të datës 15.07.2024, është emëruar në detyrën e noteres në territorin e komunës së Ferizajt.
“Në pajtim me nenin 20 (paragrafi 1 dhe 3) të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, e emëruara obligohet që brenda periudhës prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, t’i ofrojë Ministrinë së Drejtësisë dëshminë përkatëse me të cilin vërteton dorëheqjen e saj nga funksioni aktual zyrtar”- thuhet në përgjigjën e OSHP-së për KALLXO.com.
OSHP thotë se vazhdimisht i publikon në faqen zyrtare të gjitha aktet dhe veprimet e ndërmarra nga palët (operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktuese) në një aktivitet prokurimi dhe, siç thuhet më tej në përgjigje, gjithnjë angazhohet që publiciteti dhe transparenca ta karakterizojnë punën e saj, puna e të cilit është mjaft sfiduese por me rëndësi për interesin publik.