Komuna e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Jep dorëheqje kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevac nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun, dje ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në këtë komunë, raporton “Kossev”.

Siç shkruan media “Kossev”, qëllimi i dorëheqjes ka qenë “parandalimi në mënyrë demokratike” i marrjes së detyrës nga kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Bishevac ishte kishte marrë këtë post me sistemin automatik, pasi serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Në atë kohë, pozitat e asamblistëve mbetën bosh në katër komuna. Ndryshe nga Zveçani dhe Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok – asamblistëve që automatikisht ishin të radhës në listë, iu dha mundësia për të plotësuar vendet e lira.

Në fund të dhjetorit, gati dy muaj pas largimit nga institucionet në këtë komunë, në Zyrën për Minoritete, në fshatin Çabër është mbajtur seanca në të cilën kanë bërë betimin 13 asamblistë shqiptarë nga LDK-ja, PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Më pas, më 26 janar të këtij viti, tre asamblistë të Iniciativës Qytetare në Zubin Potok, së bashku me kryetarin, vendosën që të marrin mandatet e tyre, me arsyetimin qe “shqiptarët të mos qeverisin të pavarur në këtë komunë”.

Që atëherë, siç pohuan ata, kanë mbajtur vetëm një seancë formalisht, për të mos u hequr mandatet.

Dorëheqja e serbëve nga institucionet i çoi këto katër komuna në zgjedhje lokale më 23 prill, me ç’rast votuan vetëm mbi 1 mijë e 500 qytetarë. Pjesëmarrja ishte e ulët, pasi që shumica e qytetarëve serbë bojkotuan këto zgjedhje.

As Iniciativa Qytetare lokale nuk mori pjesë në zgjedhje. Ata thanë se ato nuk janë organizuar apo mbajtur në kushte demokratike.

“Ne besojmë se zgjedhjet nuk janë organizuar në kushte demokratike, siç tregojnë rezultatet, gjegjësisht pjesëmarrja prej vetëm 5%, që tregon qartë se kemi marrë vendimin e duhur dhe kemi qëndruar pranë popullit tonë që bojkotoi zgjedhjet”, theksoi GI për. Zubin Potok, të cilën në një bisedë telefonike na e ka konfirmuar lideri i kësaj iniciative, Milija Biševac.

Mirëpo, kryetari Bishevac mori ftesë për të organizuar një seancë të kuvendit ku do të zyrtarizohet zgjedhja e kryetarit të ri. Ndonëse, siç thonë nga Iniciativa Qytetare, ajo do të mbahet me ose pa pjesëmarrjen e tyre, megjithatë kryetari ka vendosur të largohet nga posti.

“Dëshiruam që ta ndalojmë marrjen e detyrës nga kryetari i ri, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, i cili duhet ta thërrasë atë kuvend. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbë” – kanë thënë ata.

Ndërkaq, tre këshilltarët serbë nga Iniciativa Qytetare nuk dhanë dorëheqje. Kjo thuhet se do të bëhet nëse zyrtarisht zgjidhet kryetari i ri.

“Dhe ata do të japin dorëheqje nëse zyrtarisht zgjidhet kryetari i ri, gjegjësisht nëse krijojnë shumicën dhe organizojnë një seancë të kuvendit pa ne” – thanë ata.

Ata kanë treguar edhe një herë se besojnë se kryetari i ri nuk është zgjedhur me vullnetin e qytetarëve të Zubin Potokut dhe se, siç pretendojnë ata, zgjedhja e tij është jolegjitime.

Me këtë lëvizje, ata kanë thënë se duan ta bëjnë të qartë se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të luftuar për të drejtat e popullatës lokale derisa sipas tyre të krijohen kushte reale për mbajtjen e zgjedhjeve legjitime dhe demokratike, “ku banorët të shprehin pikëpamjet e tyre politike dhe të zgjedhin qeverinë, e cila do të funksionojë në interes të qytetarëve.”