Jep dorëheqje gjinekologu nga Vushtrria pas përplasjes me familjarin e një pacienteje

Doktori Blerim Feka, shef i repartit të Gjinekologjisë në spitalin e Vushtrrisë ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij dhe nga detyra e mjekut në këtë spital, pas incidentit me familjarin e një pacienti.

Në disa pamje të publikuara në rrjetin social “Tik Tok” nga një familjar, shihej një diskutim i ashpër mes tij dhe doktorit dhe në një moment ndodhë edhe incidenti ku doktori tenton të ia marrë telefonin.

Nga Spitali i Vushtrrisë, kanë konfirmuar se pas incidentit, doktori Blerim Feka ka dhënë dorëheqje.

“Dr. Blerim Feka, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e mjekut specialist dhe e ka njoftuar Spitalin për shkëputjen e Kontratës së punës për arsye personale.” – konfirmoi drejtoria e spitalit për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me doktorin Feka, po ai nuk ka pranuar të komentojë ngjarjen.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se ka intervisutar doktorin për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe se rasti është ende nën hetime.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me personazhin tjetër, familjarin e pacientit i cili ka rrëfyer ngjarjen, duke thënë se ai është interesuar të marrë më shumë informacione për shëndetin e fëmijës së tij, por doktori ka pasur sjellje arrogante.

Pas pak, KALLXO.com do të publikojë rrëfimin e familjarit, Hakif Mulliqi.