Jep dorëheqje drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve
Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e tij.
Këtë e ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi për media.
Shkak i dorëheqjes së tij është raportuar se lidhet me situatën ku dyshohet që një vajzë 11-vjeçare është dhunuar seksualisht nga 5 persona.
“Dorëheqja ka ardhur si akt moral i z. Gashi, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Lidhur me rastin, të martën ka dhënë dorëheqje edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Dorëheqja e Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, para tri ditësh.
Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali kohor prej 7 orëve, nga disa persona.
Pesë persona janë arrestuar gjatë dy ditëve të fundit për këtë rast, tre prej të cilëve të mitur. Të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
11-vjeçarja dyshohet se derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.