Jep dorëheqje drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë

Islam Shabani, ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës.

Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në facebook.

“Ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Komunal të Arsimit në Fushë Kosovë. Arsyeja është mospajtimet e mia me kryetarin e komunës së Fushë Kosovës për gjendjen e krijuar në arsimin e komunës sonë. Vazhdimi i punës së mëtejme thjesht ka qenë i pamundur, për shkak të situatës aktuale dhe keqkuptimeve të mundshme. Arsyet më detale do t’i sqaroj më vonë”, ka shkruar Shabani.

Ai në postimin e tij ka shkruar se ka qenë i privilegjuar që të punoj në arsim afër 10 vjet si profesor i në lëndën e kimisë në shkollat e mesme, 12 vjet si drejtor shkolle dhe 12 vjet si drejtor komunal i arsimit.

Sipas tij, gjendja në arsimin në Fushë Kosovë është e rëndë.

“Gjendja në arsim është e rëndë dhe duhet reforma të thella dhe një qasje shumë e sinqertë dhe me vizion të qartë. Situata e tanishme në arsim në Fushë Kosovë është alarmante, me shkolla të stërngarkuara pa hapësira të mjaftueshme dhe pajisje teknologjike, nga 45 deri 50 nxënës në paralele, pa kopshte publike dhe pa lokacione për të ndërtuar shkolla të reja”, ka shkruar Shabani.

Në lidhje me dorëheqjen e Islam Shabanit, ka reaguar kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahim Ternava, duke shkruar se disa herë ka kërkuar dorëheqjen e Shabanit.

“Disa herë kemi kërkuar dorëheqjen e drejtorit të arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani. Gjendja në të cilën e ka sjell arsimin ky drejtor është e tmerrshme. Puna ka shkuar deri aty sa muaj më parë, për gati dy javë ka pasur ndërprerje të procesit mësimor në shkollën “Mihal Grameno”, ka shkruar Ternava.

Më tej ai ka thënë se dorëheqja e Shabanit në këtë kohë është e vonshme dhe e qëllimshme politikisht, është dorëheqje për interesa elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Burim Berishës.

“Por qytetarët e dinë dhe i njohin këto lojëra sikurse e dinë se për shkatërrimin e arsimit në Fushë Kosovë, përveç drejtorit të dorëhequr e të paaftë, Islam Shabani, është fajtor edhe vet kryetari i komunës, Burim Berisha. Ai është dashur moti t’i shkarkojë drejtorët e tij të korruptuar, të cilët e kanë degraduar Fushë Kosovën”, ka shkruar Ternava.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Islam Shabanin, për ta pyetur rreth arsyeve konkrete të dorëheqjes së tij nga pozita e drejtor të Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatës tonë.

 

Më poshtë, postimi i Shabanit në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ku ka njoftuar për dorëheqjen nga pozita që mbante.