Jep dorëheqje drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prizren, akuzon kryetarin Totaj se e detyroi të nënshkruante një pagesë të kundërligjshme

Vjollca Kabashi, zyrtare e AAK-së, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj si drejtoreshë e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren.

Përmes një postimi në Facebook, Kabashi ka drejtuar disa akuza në adresë të kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj.

“Besova që kryetari Totaj pas emërimit do të jetë mbështetës dhe shtytës kryesor i mirëqeverisjes ndërsa ndodhi e kundërta si burokracia dhe nepotizmi. Sigurisht që, kur e kam marrë detyrën , kam qenë e vetëdijshme për sfida e vështirësi të natyrës së punës por për këto 10 muaj nuk gjeta bashkëpunim dhe gatishmëri për punët që na pritnin në këtë drejtori” – ka shkruar ajo.

Kabashi ka thënë se kërkesat e saj të vazhdueshme për bashkëpunim me kryetarin e Komunës janë injoruar.

“Kam pritur për 5 muaj që vendimet ti nënshkruaj kryetari i komunës. Për 10 muaj asnjëherë nuk jam pritur nga kryetari për kërkesat që i kam bërë për takim” – ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se ka qenë në presion për ta nënshkruar një pagesë për të cilën ka thënë se është e kundërligjshme.

“Andaj shpreh indinjatën time të thellë që nga e enjte deri të premten në ora 13:20 minuta lidhur me një pagese që për mua është e kundërligjshme duke më shantazhuar e duke më kërcënuar se unë të shkarkoj dhe jam detyruar të nënshkruaj nën presion dhe kërcenim me urdhra të kryetari Shaqir Totaj, shefit te kabinetit Nehat Elshani dhe drejtorit të Drejtorisë të Shërbimeve Publike Çelë Lamaj” – ka thënë ajo.

Ajo ka njoftuar se për pretendimet e saj për shkelje ligjore i është drejtuar edhe Policisë së Kosovës.

“Pas detyrimit të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, i dërgova email përsëri kryetarit ku lidhur me këtë rast i njoftova dhe u drejtova në stacionin policor ku dhashë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për të gjitha këto parregullsi” – ka thënë ajo.

Komuna e Prizrenit drejtohet nga Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili ka lidhur koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.