Jep dorëheqje drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë

Fatbardha Emini ka njoftuar për dorëheqjen e saj si drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, nën pretendimet se “arsimi nuk është prioritet i këtij vendi”.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë vitit 2022 së bashku me stafin e DKA-së dhe drejtorët e shkollave u angazhuan maksimalisht që të ofrojnë kushte më të mira dhe mbështetje për nxënësit e mësimdhënësit, me qëllim të një arsim më cilësor dhe gjithëpërfshirës, e po ashtu edhe për rend dhe siguri.

“Për kundër kësaj, ishte një vit me shumë kërkesa e me përplot sfida, pothuajse si çdo Komunë në Kosovë. Për fat të keq ende nuk është arsimi prioritet i këtij vendi” – ka thënë ajo.

Emini ka treguar se vitin 2023 e kanë planifikuar më mirë dhe konsiderojnë se do të jetë pak më i frytshëm si në ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës shkollore ashtu edhe me mjete pune e furnizime didaktike, aktivitete të tjera për të cilat ka thënë se kanë ndarë buxhetin e nevojshëm dhe kanë lënë një planifikim më të mirë por, sipas saj, jo i mjaftueshëm.

“Megjithëkëtë, prapë këto, nuk janë që i zgjidhin problemet dhe kërkesat që i kanë shkollat dhe nxënësit, do të duhet një përkushtim më i madh i politikës qendrore dhe lokale karshi nevojave, kërkesave dhe problemeve në arsim” – është shprehur ajo.

Tutje drejtoresha ka thënë se një nga sfidat që po e përcjell arsimin në Komunën e Vitisë, e që sipas saj është i pa arsyeshëm karshi dëmit që po shkakton tek nxënësit ku edhe në vitin 2023, mësimi do të mbahet me 4 ndërrime në shkollën “Halil Alidema” në Pozheran.

“Për kundër shumë kërkesave në drejtim të Ministrisë ende zvarritjet po vazhdojnë. E ndjej, të paktën obligim moral, që të mos vazhdoj në një ambient të tillë ku arsimi nuk trajtohet me prioritet” – ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se sukseset në sektorin e arsimit, e në veçanti puna e mësimdhënësve dhe rezultati i nxënësve do të jenë ato që ajo do të vazhdoj t’i përcjell me kënaqësi.

KALLXO.com, lidhur me këtë vendim dhe pretendimet e Eminit, i ka dërguar pyetje kryetarit të komunës, Sokol Haliti, Ministrisë së Arsimit dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.