Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Shtimes dhe anëtarja e Bordit në Ndërmarrjen Publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive”, Havë Qarri, Foto: Komuna e Shtimes

Jep dorëheqje anëtarja e bordit që u dyshua se e falsifikoi CV-në

Ndonëse në detyrë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në mbledhjen e sotme për të emëruar një anëtar në bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike Kompania për Menaxhimin e Deponive.

Sipas kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, njëri nga anëtarët e bordit të drejtorëve të kësaj kompanie ka dhënë dorëheqje dhe është vendosur që të emërohet tjetri.

Dorëheqje nga kjo kompani ka dhënë anëtarja Havë Qarri, e cila në këtë post kishte ardhur duke mos i plotësuar kriteret e konkursit, atë të përvojës së punës.

Madje ajo dyshohet se kishte falsifikuar CV-në e saj.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se Havë Qarri kishte vetëm 1 vit përvojë punë menaxheriale, si ushtruese e detyrës e udhëheqëses së prokurimit në Komunën e Shtimes. Por që Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe konkursi për bord kërkon që anëtarët e bordit duhet të kenë të paktën 5 vjet përvojë në një nivel të lartë të menaxhmentit.

Në CV-në e saj, Qarri kishte shkruar se ka përvojë punë prej 13 viteve, por kjo nuk kishte qenë e vërtetë. Madje ajo e kishte pranuar edhe vetë se përvoja e saj menaxheriale është vetëm 1 vjeçare.

Dyshime për falsifikim të përvojës së punës për të hyrë në borde

Zëvendësimi i Qarrit, sipas vendimit të Qeverisë, do të jetë Naim Gashi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Naim Gashin, i cili në të kaluarën kishte aplikuar në këtë bord.

Ai për KALLXO.com tha se nuk ka ndonjë informacion zyrtar nëse ai është Naim Gashi, i cili është emëruar në bordin e kësaj ndërmarrje.

“Unë kam aplikuar në 3 ndërmarrje. Në Ibër-Lepenc, te Menaxhimi i mbeturinave dhe në Infrakos. Kam qenë në intervistë, por s’kam pasur asnjë informacion”, tha Naim Gashi për KALLXO.com.

“Nëse jam unë ky i emëruari, sigurisht se do e pranoj punën. Sidoqoftë, unë nesër në mëngjes i thërras në Qeveri edhe e shoh nëse jam emëruar unë”, tha Gashi në mes tjerash.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar para disa muajve se si Naim Gashi ishte emëruar anëtar bordi në ndërmarrjen Ibër-Lepenci, por që më vonë ishte hequr nga lista për t’u zëvendësuar me Liridon Zogianin.

Naim Gashi kishte qenë i dyti në listë, por në fund ishte shfuqizuar vendimi për emërimin e tij, për t’ia liruar vendin Liridon Zogianin, që është djali i Adem Zogianit, i cili ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës nga PDK-ja.

Në një prononcim të atëhershëm për Gazetën Jeta në Kosovë, Gashi kishte deklaruar se kjo ka ndodhur veç pse ai nuk është pjesë e asnjë partie politike.

“Nuk e di pse më kanë zëvendësu, duhet me pritë përgjigje. Ose ndoshta veç pse s’jam anëtar i ndonjë partie politike, ndoshta për këtë. Nuk i përkas asnjë subjekti politik dhe sigurisht kanë pasur obligime partiake”, kishte thënë Gashi në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë në korrik të vitit të kaluar.

Anëtar i bordit të drejtorëve vazhdon të jetë Selatin Retkoceri, për të cilin kishte shkruar Gazeta Jeta në Kosovë se ai nuk ishte emëruar në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive

Mirëpo edhe me largimin e Qarrit nga bordi, jo gjithçka është e ligjshme në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.

Retkoceri ishte emëruar kundërligjshëm në këtë bord pasi që emërimi i tij bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak se Retkoceri në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e një partie politike, i zgjedhur publik e i emëruar politik. Të gjitha këto në kundërshtim me Ligjin.

Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive

www.kallxo.com