Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jep dorëheqje anëtari serb i bordit të RTK-së

Anëtari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteti serb, Ivan Radulovic, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

“Po, anëtari i bordit të RTK-së, z. Ivan Radulovic, dje më ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit, siç ka thënë ai për arsye personale” – tha Boletini për KALLXO.com.

Dorëheqja e Radulovic ka ardhur në kohën kur janë dorëhequr edhe prokurorë, gjyqtarë, policë, ministra, deputetë e asamblistë serbë nga institucionet e Kosovës. Këto dorëheqje kanë ardhur pas suspendimit të Nenad Gjuriqit, nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, pasi i njëjti ka refuzuar dhe ka rezistuar për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të Kosovës. Të njëjtit i janë kërkuar sqarime nga kryetari i bordit të RTK-së se në çfarë cilësie ai ka marrë pjesë në ato protesta.

“Pasi që z. Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të vendit, i kam kërkuar sqarime se në çfarë cilësie ka marrë pjesë, duke pasur për bazë ruajtjen e neutralitetit të anëtarëve të bordit karshi zhvillimeve të ndryshme në vend. Lidhur me këtë, z. Radulovic ka sqaruar përmes një përgjigje me shkrim se është fotograf i pavarur dhe se nuk ka asnjë kontratë pune me asnjë medium”- tha Boletini për KALLXO.com

Boletini ka thënë se Radulovic nuk ka deklaruar asnjë funksion tjetër përveç bordit apo ndonjë punë tjetër as në Agjencinë Kundër Korrupsion.

KALLXO.com ka pranuar informata që Ivan Radulovic ishte parë në disa protesta të organizuar në veri të vendit, si fotograf.

Sipas rregullores për punën e bordit, anëtarët e bordit të RTK-së nuk mund të jenë të angazhuar edhe në media të tjera.

Në nenin 5, ‘Pamundësia për të qenë anëtarë të bordit të RTK-së’ thuhet që ‘ pronarët apo bashkëpunëtorët e mediave transmetuese ose bizneseve reklamuese, si dhe anëtarët e familjës së ngushtë të tyre apo edhe të punësuar në këto media’ nuk mund të jenë anëtar të bordit.

Besnik Boletini në përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ka kërkuar sqarime nga Radulovic për pjesëmarrjen e tij ‘në disa protesta gjatë viti’.

Fotografi të Radulovic janë publikuar nëpër artikujt e Agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Radulovic ishte emëruar në bordin e RTK-së më 21 korrik të vitit 2021.

 

Si ishte përfshirë Radulovic në poentimin identik në vlerësimin e kandidatëve për drejtor të RTK-së

KALLXO.com pati raportuar për skandalin e poentimit identik në konkursin për drejtor të RTK-së, ku ishte i përfshirë edhe Radulovic, bashkë me Safet Kabashajn dhe Bekim Sele, i cili pati dhënë dorëqehje.

Në mars të këtij viti, pas kërkesës së BIRN-it  për qasje në listat e vlerësimit të secilit anëtar të komisionit për secilin kandidat, janë vërejtur edhe detaje të tjera në vlerësim.

Nga lista e vlerësimit të kandidatëve e cila ishte publike, vërehej se anëtarët e bordit, Safet Kabashaj, Bekim Sele dhe Ivan Radulovic kishin vendosur pikë identike në secilën përgjigje të kandidatëve Arben Berisha, Hysen Hundozi  dhe Shkumbin Ahmetxhekaj.

Këta tre anëtarë të komisionit vlerësues kishin qenë të ulur pranë njëri-tjetrit gjatë vlerësimit të testeve.

Ndërsa dy anëtarët e tjerë të komisionit Safet Kabashaj dhe Ivan Radulovic, kishin edhe më tepër raste kur kanë vendos pikë identike për secilën përgjigje të kandidatëve të caktuar.

Safet Kabashaj dhe Ivan Radulovic tek gjashtë kandidatë kishin vlerësuar me pikë identike secilën përgjigje të tyre.

Prapaskenat e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së 

Raportimet e KALLXO.com për Bordin e RTK-së mund t`i lexoni duke klikuar në LINK 

(Lajmi është plotësuar me paragafin që flet për rregulloren e punës së Bordit të RTK-së)