Profesori i emëruar në pozitën e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Osman Ismaili

Jep dorëheqje anëtari i KShC-së, Osman Ismaili

Anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Osman Ismaili ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Dorëheqjen e tij ai e ka ofruar para disa ditësh, përmes një letre drejtuar ushtruesit të drejtorit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Shkëlzen Gërxhaliu.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Ismaili ka thënë se këtë po e bënë për arsye personale.

“Desha të ju njoftoj se sot kam vendosur me dhënë dorëheqje të parevokueshme në cilësinë e anëtarit të KShC-së, duke u mbështetur në Ligjin për Arsimin e Lartë, neni 7, pika 4 për arsye objektive”, ka thënë ai.

Tutje ai i ka thënë Gërxhaliut që të njoftojë Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami.

Ofrimin e dorëheqjes së tij e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe, U.D drejtori i AKA-së, Shkëlzen Gërxhaliu.

“Po, ai ka jep dorëheqje përmes email-it. Tash, nuk e di sa paraqet bazë juridike, por normal po. Ai po ashtu ka ardhur me bë edhe shkëputjen e kontratës”, ka thënë ai.

“Arsyeja nuk ka jep, përveç që arsyet thotë se janë personale dhe kaq përmban deklarimi i tij. Po ashtu më ka thënë me njoftu ministren, unë e kam proceduar tek ajo, por ende nuk kam pranuar ndonjë përgjigje nga ana e saj”, ka shtuar ai për KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ismailin për të marrë një qëndrim, por se ai nuk ka dashur të deklarohet në lidhje me këtë çështje.

“Nuk flas për këtë çështje”, ka thënë shkurt ai.

Isamili ishte emëruar në këtë pozitë me 4 korrik të vitit 2019 nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi, por nuk ishte miratuar në Kuvend siç e parasheh “Udhëzimi për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë”.

MAShT ende s’ka filluar procedurat për zëvendësimin e anëtarit të dorëhequr nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë

Ismaili kishte zëvendësuar ish-anëtarin e këtij bordi, Xhavit Rexhaj, i cili kishte dhënë dorëheqje pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte vlerësuar se nuk mund të jap deklarata politike, derisa mbanë pozitën e anëtarit të KShC-së, i cili tash është zëvendësministër i Arsimit nga LDK.

Me dorëheqjen e tij, KShC ka mbetur me vetëm 8 anëtarë,  nga të cilët pesë janë vendorë dhe tre ndërkombëtarë.