Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com
"Jemi n'terr" - Banorët e një lagjeje në Vushtrri ankohen për probleme me rrymë për disa javë
Banorët e lagjes “Shotë Galica” në Vushtrri janë duke u ankuar se kanë probleme me rrymë, tash e disa javë.
Sipas tyre, nga data 01.09.2024 kanë reduktime të gjata të Rrymës.
“Çdo ditë bëjmë thirrje në bazë të KEDS-it, për të rregulluar këtë problem. Por, nuk kemi marrë asnjë zgjidhje.” – thuhet në ankesën e banorëve për KEDS-in, të raportuar te KALLXO.com.
Sipas kësaj ankese, problemi qëndron te Trafo që është në këtë lagje. E, që sipas banorëve është e mbingarkuar.
“…nëse nuk paguajmë faturën, ata vijnë dhe e shkëputin menjëherë Energjinë elektrike.” – theksohet në ankesë.
“Bëjmë thirrje nga organet kompetente të marrin masa dhe të rregullohet ky problem. Sepse, po kemi probleme të mëdha. Koha është e ftohtë dhe nuk po mundemi as të ngrohemi. Është shumë e padrejtë për ne.” – vazhdohet, tutje, në ankesë.
Një banor i kësaj lagjeje, në anonimitet, ka treguar për KALLXO.com, se ka ditë që nuk kanë rrymë deri në 12 orë.
“Ne si lagje ankohemi që s’kemi rrymë qe një muaj qysh duhet. Ka ditë që nga 12 orë s’kemi rrymë. Na shumica jemi që ngrohemi me rrymë dhe kjo s’është normale.” – tha banori.
Qytetarët e kësaj lagjeje paralajmëruan se të hënën, më 09.12.2024, do të paraqiten edhe te Zyra e KEDS-it në Vushtrri – për t’i paraqitur problemet që ata kanë.
Për këtë temë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me KEDS-in. Nga kjo kompani, thanë se sapo të konfirmojnë rastin dhe pranimin e ankesës do të përgjigjen për këtë çështje.