Shefi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos.

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, largohet nga pozita e Shefit Ekzekutiv 

Që nga sot, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos do t’a dorëzojë titullin e tij si shef ekzekutiv tek Andy Jassy, për t’i dhënë fund udhëheqjes më shumë se dy dekada të kompanisë Amazon përmes evolucionit të saj nga një shitëse librash në internet në një kompani me vlerë 1.75 trilionë dollarë me shitje çmimesh me pakicë në krejt botën, logjistikë dhe internetit global, shkruan CNN.

Amazon njoftoi në muajin shkurt se Bezos do të kalonte nga pozita e Shefit Ekzekutiv (CEO) në një post ekzekutiv, që nënkuptonte se ai donte të kalonte më shumë kohë në sipërmarrjet e tij të tjera, përfshirë Washington Post, kompaninë hapësinore Blue Origin dhe të merret më shumë me filantropi.

Megjithatë, edhe kur heq dorë dhe merr një rol më pak publik në kompani, Bezos do ta ketë ende një ndikim të jashtëzakonshëm në Amazon (AMZN) për vitet në vijim, në sajë të të qenit aksionari i saj më i madh individual, një mentor i vjetër i Shefit Ekzekutiv të ardhshëm dhe roli i tij si kryesues të bordit.

Largimi i Bezos si Shef Ekzekutiv vjen në një kohë kritike për Amazon. Pandemia rezultoi me një kërkesë masive për shërbimet e saj, duke çuar në fitime të mëdha si dhe shumë vende të reja pune. Megjithatë, rritja tejet e madhe e kompanisë vetëm ka rritur vëmendjen e rregullatorëve, disa prej të cilëve besojnë se ajo është bërë shumë e madhe.

Të mos kesh njeriun më të pasur në glob në krye të kompanisë mund ta ndihmojë atë të përballojë më mirë disa nga ato vëzhgime nga rregullatorët. Dhe ky largim gjithashtu mund të ndihmojë në izolimin e Bezos nga kritikat e disa ligjvënësve.

Amazon kohët e fundit është përballur me kritika për trajtimin e saj ndaj punëtorëve të cilët punojnë nëpër magazina, diçka që Bezos është zotuar ta marrë në shqyrtim.

Koha e tranzicionit të Bezos në shumë mënyra pasqyron atë të themeluesve të tjerë të Silicon Valley, për të cilët heqja dorë nga pozita e Shefit Ekzekutiv nënkupton të jesh larg qendrës së vëmendjes, por jo domosdoshmërisht e gjithë fuqisë.

Bashkëthemeluesit e Google, për shembull, humbën titujt e tyre ekzekutivë në vitin 2019 mes kontrollit në rritje të rregullatorit të kompanisë, por ata mbeten në bord dhe mbajnë aksione që u jep atyre kontroll të votimit si aksionarë.

Bezos nuk ka të njëjtën fuqi por ai mbetet aksionari më i madh i Amazon me një diferencë të madhe. Që nga muaji i kaluar, Bezos kishte në pronësi 51.2 milionë aksione – ose rreth 10% – të aksioneve të zakonshme të Amazon, shumë më tepër sesa aksionari tjetër më i madh Vanguard Group, i cili mban rreth 6.5%.

Përkthimi: Nuhi Shala