Javën tjetër jepet premiera e filmit dokumentar ‘Kosova monumentale e paradokseve’

Filmi “Kosova monumentale e paradokseve” është një dokumentar që trajton çështjen e memorialeve të viktimave civile të luftës në Kosovë.

Premira e këtij filmi do të shfaqet më 2 mars 2023 në ora 12:00 në Kinemanë ABC në Prishtinë.

Filmi është realizuar nga OJQ “Integra”, e cila ka bërë të ditur se ky dokumentar në një mënyrë unike pasqyron imazhin e memorialeve të ndryshme në Kosovë të cilat të ndërtuara në kohë e kontekste të ndryshme paraqesin tematika e mesazhe të ndryshme, siç thuhet më tej në njoftim duke mos arritur kështu të trajtojnë e dokumentojnë kompleksitetin dhe diversitetin e përvojave të viktimave civile.

“Dokumentari “Kosova monumentale e paradokseve” ka për personazhe disa monumente që ilustrojnë krejt këtë dështim në dokumentimin e së kaluarës. Nuk merret me estetikën e tyre – ngritjen pa kritere, koncept e rend – por me etikën e një narracioni të çakorduar për atë se çfarë ka ndodhur në këto anë në luftën e fundit”- thuhet në njoftimin e “Integra”-s.

Sipas njoftimit, pas shfaqjes së filmit do të ketë një një diskutim me të ftuar të ndryshëm.

Ky dokumentar është realizuar nga Integra dhe është mbështetur nga National Endowment for Democracy, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds dhe Kohavision.