Javën tjetër jepet premiera e shfaqjes ‘Të gjashtët kundër Turqisë’
Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt jepet premierë më 16.10.2024 në Teatrin ODA në Prishtinë.
Kjo shfaqje, e përgatitur nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populliste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Europë.
Shfaqja është krijuar mbi zhvillimet e vitit 2018, kur gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi, të akuzuar në vendin e tyre se kanë lidhje me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohet nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016.
“E frymëzuar nga ‘Të shtatët kundër Tebës’, “Të gjashtët kundër Turqisë”, përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?”- thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia për shfaqjen.
Siaps njoftimit, “Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve. “Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë”- thuhet në njoftim.
Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” është prodhuar nga Qendra Multimedia dhe Gerçek Tyiatrosu (Turqi) në bashkëpunim me “My Balkans” (SHBA&Serbi).