Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Javën e ardhshme Kuvendi mban dy seanca plenare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbeldhjes së Kryesisë tha se është vendosur që të martën e javës së ardhshme të mbahen dy seanca plenare.

“E para do të jetë vazhdimësi e seancës së mbetur në gjysmë javën që shkoi që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kurse seanca e dytë do të përfshijë disa pika të reja të rendit të ditës që kanë të bëjnë me krijimin e komisioneve Ad-hoc për përzgjedhjen e disa bordeve dhe komisioneve të cilat presin të trajtohen në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.

Osmani shtoi se në njërën prej seancave do të mbahet edhe interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Një çështje tjetër që mund të trajtohet në atë seancë apo datë tjetër që e caktojmë do të jetë edhe interpelanca në raport me kryeministrin e vendit, e kërkuar nga një grup deputetësh që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit në raport me Serbinë”, tha kryeparlamentarja.

Në seancën e javës së shkuar Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të shqyrtojë disa pika të rendit të ditës, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të mungesës së kuorumit.