Javën e ardhshme hapet ekspozita e artistes Engji Jaha

Të martën e ardhshme, më 16 qershor 2020, Galeria e Ministrisë së Kulturës, në Kompleksin “Qafa” në Prishtinë do të hapë ekspozitën personale të artistes Engj Jaha, “Selfie Mundi”.

Ekspozita hapet në ora 18:00, ndërsa është ekspozita e parë që hapet pas izolimit tre mujor të GMK-së, për shkak të COVID-19.

Menaxhmenti i GMK ka njoftuar se për dallim nga herët tjera, kësaj radhe ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të jetë nëpërmjet një konference për media, ku folës do të jenë kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi, koordinatorja e GMK-së, Dhurata Ramosaj, si dhe autorja Engji Jaha.

“Në këtë̈ ekspozitë Engji Jaha sjellë piktura dhe një instalacion artistik. Ky instalacion është bërë me qëllim që brenda tij të jetë vetëm një pikturë, e ndriçuar nga brenda dhe nga jashtë, në një shoqërim me pjesën tjetër të punimeve të ekspozuara jashtë “kabinës” së instalacionit. E personazh i pikturave të saj është vet piktorja Jaha”, thuhet në njoftimin e GMK-së për këtë ekspozitë.

Ekspozita do të qëndroj e hapur një muaj dhe vizitorët duhet të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.