Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, kryetari i Supremes kërkon ashpërsimin e dënimeve në rastet e vrasjes brenda familjes

Në ngjarjen e cila ka nisur “Javën për të drejtat e viktimave të krimit” ka marrë pjesë edhe Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme.

Kjo ngjarje është organizuar nën patronatin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga data 25 deri më 29 tetor 2021. Motoja e kësaj jave është “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, Enver  Peci, ka theksuar nevojën e ashpërsimit të dënimeve në çështjet lidhur me dhunën në familje, posaçërisht në rastet e vrasjes së grave nga bashkëshortët.

“Kosova, ndonëse është një vend i vogël, vazhdon të përballet me një shkallë të rëndë kriminaliteti, vrasjesh, tentim vrasjesh, grabitjesh e posaçërisht dhune”, ka thënë Peci.

Tutje Peci kishte thënë se statistika e dhunës së burrave ndaj grave është brengosëse.

“Është dhuna në familje, përkatësisht dhuna e burrave ndaj grave, ajo që vazhdon të na brengosë, kur kemi parasysh statistikat e raportimeve, madje për fat të keq, edhe këtë vit kemi pasur raste të vrasjes së grave nga ana e burrave”, u shpreh kreu i Gjykatës Supreme.

Kreu i Supremes ka theksuar se vetëm një politikë e ashpër ndëshkimore mund të parandalojë vrasjet në familje.

“Vetëm një politikë e ashpër ndëshkimore mund të frenojë këtë trend vrasjesh që lë pasoja shumëdimensionale”, ka thënë ai.

Sipas Pecit, një aspekt që kërkon fokusin e të gjithëve është njohja e viktimave të dhunës në familje me të drejtat e tyre dhe njëkohësisht edukimi i burrave për të ndryshuar mentalitetin patriarkal që ende mbizotëron tek ne.

“Përçimi i mesazhit që theksohet edhe në Konventën e Stambollit, se dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk janë më çështje private, është përgjigje në thirrjet e heshtura për ndihmë”, kishte thënë në mes tjerash kryetari Peci.