Foto; Presidenca e Kosovës

Java e nivelit të lartë e OKB-së, Osmani udhëton për në New York për takime me liderë botërorë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York për takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se Osmani në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë të OKB-së, do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare.

Gjatë kësaj vizite, siç bën të ditur Presidenca, e para e shtetit në takime me homologët e saj do të diskutojë për “zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë”.

Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, dhe në aktivitete të organizuara me mërgatën shqiptare në Amerikë, shkruan në njoftim.

KALLXO.com merr vesh nga burime në Qeveri, që për në New York do të udhëtojnë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.

Sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shënon një moment thelbësor në përpjekjet globale për të përshpejtuar përparimin drejt 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Asambleja do të zgjasë nga 23 deri më 27 shtator.