Java e ardhshme vendimtare për marrëveshjen me Serbinë për rrymën në veri

Javën e ardhshme delegacionet nga Kosova dhe Serbia pritet të finalizojnë marrëveshjen për rrymën në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Kështu ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Kurti ka thënë se KEDS-i me palën serbe më 9 qershor kanë biseduar për katër shërbime të dakorduara më herët.

“Ajo çfarë duhet të mbahet mend është që bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët, vendosje e matësve të energjisë, mirëmbajtje e matësve, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim ne e kemi përmbushur e që i referohet takimit ndërmjet KEDS-it dhe palës serbe, pra vetëm në atë aspekt ata kanë biseduar”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se nuk do të ketë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve të lartëcekura dhe përtej katër komunave në veri.

I pari i vendit ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdes të mos e dëmtojë procesin pasi marrëveshja është më afër se asnjëherë më parë.

“Ditët në vijim të javës së ardhshme janë vendimtare për të parë a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimin e Udhërrëfyesit të energjisë andaj duhet të kemi shumë kujdes, as me hamendësime as me gjysmë të vërteta ta dëmtojnë procesin se po kërkohen pretekste për të ikur nga marrëveshja që janë afër më shumë se asnjëherë më parë”, ka thënë Kurti sot.

Presidenti i Sebisë, Aleksandar Vuçiq disa ditë më parë ka deklaruar se është i gatshëm për dialog dhe bisedime me Kosovën dhe se sipas tij janë afër arritjes së një marrëveshje për të pagjeturit dhe rrymën në veri.

Këtë ai e tha në një konferencë për media, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Për çdo rast jemi të gatshëm për proces në dialog, për bisedime dhe besoj se jemi afër që të arrijmë një marrëveshje për personat e pagjetur dhe për energjinë”, ka thënë Vuçiq.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Rreth 13 milionë euro ka paguar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) për muajin janar dhe shkurt të vitit 2022 për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa pritet kosto me e lartë për muajin mars.

Për shkak të këtyre pagesave, KOSTT ka thënë se është në një gjendje jashtëzakonisht të rënduar financiare.

“Kostoja për muajin janar 2022 është afër 8 milionë euro ndërkaq për muajin shkurt 2022 është mbi 5 milionë euro. Sa i përket muajit mars, ende nuk mund të ofrohen të dhënat e sakta meqenëse muaji ende nuk ka përfunduar, por kostoja financiare për muajin mars pritet të jetë dukshëm më e lartë… Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonishtë e rënduar”, kishin thënë nga KOSTT për KALLXO.com.

Në maj të vitit të 2021, Kuvendi i Kosovës kishte obliguar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

KOSTT ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të sjellë falimentimin e këtij institucioni në tremujorin e parë të vitit 2022.

Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 kap vlerën prej 40,849,659 euro ndërsa vetëm për muajt nëntor dhe dhjetor janë paguar 18 milionë euro.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vjet që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar edhe pse tashmë bordi është fundksional.

Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë. Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.