Jasna Jelisiq: Ballkani Perëndimor është më i ndjeshëm ndaj dezinformimit

Jasna Jelisiq nga Komisioni Evropian ka thënë se Evropa përballet me dezinformim për Ukrainën qysh prej pushtimit të Krimesë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ballafaqimi më i madh me këto propaganda ka nisur në vitin 2017 kur kuptuan se edhe Ballkani Perëndimor është i ekspozuar.

“Rajoni i Evropës është përballur me çështjen e dezinformimit që kur Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014. Prandaj, ballafaqimi me këtë është i pranishëm që nga viti 2017-2018, kur të gjithë e kuptuan se edhe Ballkani Perëndimor është i ekspozuar. Çdo narrativë që është shtyrë nëpër mbarë botën është e pranishme edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Sipas saj, Ballkani Perëndimor është më i prekur nga dezinformatat dhe kjo vjen edhe si pasojë e edukimit mediatik më të ulët.

“Ajo që është specifike është se Ballkani Perëndimor, për dallim prej shteteve tjera të BE-së, është më i ndjeshëm ndaj dezinformimit. Kjo për shkak se niveli i edukimit mediatik është më i ulët, besimi në institucione është në përgjithësi më i dobët. Hapësira e veprimit për mediat profesionale të pavarura është tkurrur vazhdimisht qe një kohë shumë të gjatë”, shtoi ajo.

Ajo tutje shtoi se, kapaciteti i Ballkanit Perëndimor për t’u përballur me këto lajme, për të qenë i pathyeshëm është i kufizuar në krahasim me atë të shteteve të BE-së. Megjithatë, ka edhe shtete të BE-së që po vuajnë këtë gjendje.

Jelisiq potencoi se ndalimi i kësaj dukurie është i pamundur marr parasysh ekzistencën e platformave sociale.

Sipas saj, është shoqëria jo që duhet të përcaktojë se çka konsideron si të vërtetë .

“BE-ja apo institucionet tjera nuk duhet të kenë Ministri të së Vërtetës dhe të thonë kjo është e vërtetë e kjo është e rreme, por duhet të jetë shoqëria ajo që mund ta bëjë këtë. Mendoj se organizatat verifikuese në Ballkanin Perëndimor kanë kryer punë të jashtëzakonshme, edhe duke u lidhur me njëra tjetrën në mbarë regjionin”, shtoi ajo.

Vendet skandinave, sipas saj, kanë më shumë sukses në këtë luftë me lajmet e rreme pasi u përshtatet me sistemet politike, edukimit të duhur dhe transmetuesit publik të fuqishëm.

“Unë tani si diplomate nuk dua të them ‘ky shtet mirë, ky shtet keq’, por do të kisha thënë të shikoni shtetet skandinave si shembull. Kjo sepse atyre u përshtatet me sistemet e tyre politike, si dhe për shkak se transmetuesit publikë atje janë të fuqishëm, sistemi i edukimit është i duhur, dhe në shumë prej këtyre shteteve koordinimi qeveritar është shumë i mirë në aspekt të mobilizimit. Ajo që është më e rëndësishmja – hapja e hapësirës për shoqërinë – pra, që shoqëria të bëjë hisen e vet të punës”, ka thënë Jelisiq.