Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jashari: Tetë prona publike i kam liruar, ishin të uzurpuara nga qeverisja e PDK-së

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se gjatë qeverisjes së tij kanë arritur t’i lirojnë tetë prona publike që në një formë kanë qenë të uzurpuara nga qeverisja tashmë në ardhje – PDK.

Jashari në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer për secilën pronë veç e veç se çfarë kishte qenë duke u shfrytezuar deri në ardhjen e tij në krye të Skenderajt.

“Gjatë këtij mandati, janë diku tetë lokacione, të gjitha prona publike, që në një formë kanë qenë të uzurpuara që nga paslufta nga persona të caktuar nga rrethi i këtyre që po vijnë në pushtet. Sot këto prona janë në shfrytëzim të qytetarëve. Prona e parë është Shtëpia e Kulturës, ka qenë kafiq, nga dhëndri i Sami Lushtakut. E dyta është poligoni sportiv prapa Shtëpisë së Kulturës, pas luftës është shfrytëzu nga njerëz të caktuar, me një tendë për me lujtë futboll, e kanë blloku një poligon që ka qenë i gatshëm edhe me ulëse për shikues. Është dhanë me një qira simbolike për një qytetar. Nuk ia di emrin. Ajo është liru, sot po ndërtohet poligon multifunksional dykatësh”, deklaron Jashari.

“E treta është te qendra tregtare ETC, ka qenë një pronë qysh themi ne “ja kanë qitë gishtin”, që mos e prek se e jemja është. Ka qenë shëmti e qytetit prej mbeturinave. Ne e kemi dhanë përmes ankandit publik. Plani ka qenë që komuna me ia dhanë dikujt edhe me ndërtu diçka me bë biznes”, tha ai.

Ai tutje tregon edhe për një pronë në hyrje të Skenderajt, e cila sipas tij, ishte duke u shfrytëzuar me një shumë “simbolike” nga një biznes privat.

“Në hyrje të Skenderajt, krahu i majtë nga Prishtina, ka qenë një fabrikë e tullave. Edhe ajo e dhanë në shfrytëzim për një qira simbolike vjetore. Nuk mundem me përmend shifra, se nuk e di saktë. Aty është liru, dhe është ndërtu objekti i njësisë së ujësjellësit regjional, që është në plan me u ndërtu edhe njësisë së “Uniteti”-t të mbeturinave”, shtoi tutje kryetari Jashari.

Më pas, Jashari tregon edhe se si ishte dhënë një pronë në shfrytëzim për mirëmbajtjen e parkut “Idriz Rreci”, por shton se asnjëherë nuk u mirëmbajt.

“Prona tjetër ka qenë një pronë prej 40 ari përball parkut ‘Idriz Rreci’, që është dhënë me vendim të kuvendit komunal për 40 vite. Gjëja për mirëmbajtjen e këtij parku. Qytetarët e din, nuk është mirëmbajt fare. E kemi anuluar atë vendim në mënyrë të ligjshëm. E kemi rregulluar parkun, edhe mirëmbahet. Sot në atë pronë ka filluar objekti për persona me nevoja të veçanta, që do të jetë model, është një donacion. E pesta është tek qendra e regjistrimit afër stacionit policor. Edhe ajo një pronë që ka qenë shëmtirë për lagjen 2, e mbushur edhe me mbeturina. Sot aty është një poligon sportiv modern”, rrëfeu Jashari.

Jashari përballë gazetares Jeta Xharra tha se janë edhe tri lokale – kafiteri që nevojiten të hetohen se si arritën që nga prona publike të shndërrohen në prona private.

“Ka prona që ka nevojë me u hetu nga ekspertë. Janë disa lokale në shesh që deri në 2013 kanë qenë pronë publike dhe kanë kalu në prona private, që gjoja janë blerë nga qytetarët serbë. Diku janë tri lokale. S’kam mund me i dërgu në prokurori, s’kam pasë dokumente se i kanë zhdukë”, pretendoi kryetari në largim i Skenderajt.

Por në këtë aspekt nga mandati i tij katërvjeçar, Bekim Jasharit i ka mbetur “merak” që nuk arriti ta lirojë edhe një pjesë të pronës ku është e ndërtuar ish-shtëpia e Sami Lushtakut. Shtëpi të cilën tash e disa vite e ka shitur.

“E vetmja gjë që nuk arrita ta bëj është te këto hapësirat publike, është ish-shtëpia e z. Lushtaku që gjysma e saj është në pronë publike. E ka shitur tashmë atë. Edhe rruga është e shtrembër për shkak të këtij uzurpimi. Kemi biseduar me gjithë pronarët që janë në atë rrugë, nuk kanë çka bëjnë, ai nuk ishte në dijeni. E kemi pasë në plan me zgjeru, këtë vit, por s’kemi mundur për shkak të buxhetit, dhe s’kam dashtë me shfrytëzu për kohë zgjedhjesh”, tha Jashari.

Në zgjedhjet lokale të tetorit të 2021-ës, Bekim Jashari humbi përballë Fadil Nurës të PDK-së.