Jashari pas certifikimit të rezultateve: KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimeve

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në reagimin e tij, Jashari ka thënë se KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme heshtën para “manipulimeve, duke mos u marrë fare me pasojat e shkeljeve që edhe vet i kanë identifikuar”.

“Blerja e votave, presioni i zyrtarëve të caktuar politik mbi votuesit dhe manipulimi i procesit zgjedhor përmes sistemit të “trenit bullgar” për këto institucione në fjalë ishte normale dhe ju e dini përse”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Tashmë ish-kryetari i Skenderajt tha se vullneti i qytetarëve u deformua dhe manipulua pa kursyer asgjë, “asnjë mjet jo ligjor dhe jo etik, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e tyre”.

“Garën për kryetar të Skenderajt nuk e kam parë asnjëherë si luftë për pushtet por si një mundësi më shumë për të vazhduar t’i shërbej vendit tim, ashtu siç i kam shërbyer këto 4 vite duke dhënë maksimumin tim në realizimin e qindra projekteve të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Skenderajt. Jam i lumtur që gjatë kësaj kohe realizuam një fushatë të pastër dhe shembull, duke kërkuar besimin qytetar me program zgjedhor, me projekte dhe plane konkrete, me prezantimin e qeverisjes sonë transparente 4 vjeçare dhe projektet e reformat e realizuara, duke i lënë kështu qytetarët të vendosin lirshëm, në menyrë demokratike”, ka shkruar tutje Jashari.

Ai tha se lista e pavarur e tij do t’i ketë 10 asamblista në Kuvendin Komunal të Skenderajt.

“Pavarësisht presioneve, shantazheve, kërcënimeve e blerjes së votës ishin 9236 qytetarë (40% e atyre që kanë votuar me 17 tetor) të vendosur që qëndruan të pa lëkundur në rrugën e idealit tonë të përbashkët. Përkrahja e këtyre qytetarëve na mundësoi që në kuvendin komunal të Skenderajt të kemi 10 asambleistë të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht qytetarët dhe interesat e tyre të përgjithshme”, ka shkruar Jashari.

“Përkrahja e qytetarëve ishte dhe mbetet shumë më e madhe sesa rezultati i këtyre zgjedhjeve të manipuluara dhe pa legjitimitet”, shtoi ai.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit të Bekim Jasharit kundrejt vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP i kishte  hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Në anën tjetër, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Bekim Jashari nga Lista e Pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,7 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’