Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jashari: Nuk kam kërkuar mbështetje as tërheqje të kandidaturave

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë që nuk ka pasur ndonjë takim më zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për tërheqje nga kandidatura të Hysni Mehanit.

Kandidati i propozuar për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani, ka njoftuar sot se është tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale nën arsyetimin se nuk dëshiron të jetë kandidat përballë anëtarit të Familjes Jashari – Bekim Jashari.

Në reagimin e tij, Jashari ka theksuar se ai është kandidat i pavarur për një mandat të dytë në krye të kësaj Komune.

“Tani kur po bëhen publike kandidaturat e partive politike për kryetar të Skenderajt, deklaroj me sinqeritetin më të madh që as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk kemi pasur asnjë takim, asnjë të vetëm, me ndonjë parti politike për të kërkuar mbështetje apo tërheqje të kandidaturave të tyre”, ka shkruar Jashari në Facebook.

“Për këtë ju garantoj sepse, për asnjë çmim apo rezultat nuk kam pranuar dhe nuk  pranoj që të kandidoj si i nominuar nga ndonjë parti politike, me gjithë respektin për secilën prej tyre”, ka theksuar ai.

Tutje Jashari ka theksuar se do të vazhdojë të punojë për komunën që udhëheq duke kërkuar një mandat të dytë nga qytetarët.

“Me 17 tetor do të dëshmojmë që Skenderaj është i bashkuar dhe vizionar për të ardhmen tonë, në jetësim të idealit të dëshmorëve e heronjve për zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë. Me sovranin kam të vetmin koalicion dhe të vetmit i shërbej deri në frymën e fundit”, ka theksuar ai.

Kandidati i propozuar për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani i cili kishte qenë kritikues i qeverisjes së Jasharit, sot ka njoftuar për tërheqje nga kandidimi.

“Unë i përulem asaj që po na e vë përballë Bekimi, pra, i përulem dhe nuk garoj kundër familjes Jashari. Por, do të luftojmë fort në garën për asamble, për t’i larguar nga Kuvendi Komunal një grup profiterash që e kanë keqpërdorur pushtetin e Bekimit për interesa personale e meskine”, ka shkruar Hysni Mehani.

Qëndrimet si ‘nata me ditë’ të Hysni Mehanit për Bekim Jasharin