Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jashari: E kam thirrur Xhelal Sveçlën me e dërgu Njësinë Speciale te festa e PDK-së

Bekim Jashari, kryetari i Komunës së Skenderajt, ka deklaruar se ka qenë ai që e ka thirrur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që të japë urdhër për të dërguar Njësitë Speciale te festa e PDK-së, ku kishte të shtëna të shumta me armë zjarri.

Jashari në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Njësitë Speciale iu kishin përgjigjur kësaj thirrjeje por që nuk kishin reaguar fare në terren.

“E kam thirrë vetë ministrin Xhelal Sveçlën në telefon, i kam kërku me ma dërgu Njësinë Speciale. Edhe e kanë dërgu. Para syve të Njësisë Speciale ka kërsitë Kallashi në sheshin “Adem Jashari”. Edhe ata i hypin kombit dhe ecin. Nuk po them që janë tutë, po ndoshta shefi i tyre, u ka thanë ashtu: “Hypni në kombi e ecni”, tha ai.

Madje shtoi se pas rastit të plagosjes në atë tubim, nuk është arrestuar ende askush.

“Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Ka edhe njerëz që janë plagu, po nuk është arrestu kurrkush”, tha ai.

Jashari tha se në kohën kur po festohej fitorja e tij në vitin 2017, ishin arrestuar menjëherë dy persona që kishin gjuajtur me armë zjarri.

“Sa më kujtohet, kanë gjujtë dy vetë, edhe janë arrestu në atë moment prej Policisë. Pas një muaj dite e kam marrë vesh”, tha ai.

Në zgjedhjet lokale të tetorit të 2021-ës, Bekim Jashari humbi përballë Fadil Nurës të PDK-së.

Pas publikimit të rezultateve, simpatizues të PDK-së dolën në sheshin “Adem Jashari” për të festuar.

Nga ajo festë e madhe e shoqëruar me të shtëna armësh, një person mbeti i plagosur.

Dy ditë më pas, Policia njoftoi për disa konfiskime armësh që ishin përdorur atë të diel.

Ndërsa një 55-vjeçar u arrestua, pasi dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri, duke festuar pas zgjedhjeve lokale, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’