Jashari deputetëve: Të jeni të një qëndrimi që të ndahemi përgjithmonë nga Serbia

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Rifat Jashari ju ka bërë thirrje vendimmarrësve në Kosovë që të jenë të një qëndrimi ndaj sfidave, sipas tij, “të ndarjes njëherë e përgjithmonë nga Serbia”.

Në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, vëllai i komandantit Adem Jashari, bëri thirrje që deputetët të jenë të gjithë të një gjuhe e një qëndrimi sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me Serbinë.

“Këtu është Kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit dhe shtetit. Ju kisha sugjeruar që të jeni të një gjuhe dhe të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara. Të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi më të tjerat”- tha Jashari.

Ai ka falënderuar ambasadorët e vendeve mike, veteranët, invalidët, familjarët e dëshmorëve, familjarët e personave të zhdukur, etj.

“I përshëndes të gjithë, duke i falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bijtë e bijat tona, ne kemi arritur sot këtu, jemi tubuar të lirë t’i qajmë hallet së bashku. Të nderuar ushtar, e oficerë. I falënderoj nënat e dëshmorëve, veteranët, invalidët, familjarët e personave të zhdukur. Iu uroj shëndet, lavdi e nder të gjithë atyre që ranë për liri”- ka shtuar Jashari.

Me fjalimin e Rifat Jasharit, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur seancën solemne të mbajtur sot në për shënimin e 25 vjetorit së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

5, 6, dhe 7 marsi shenojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.