Denoncimi i Jasharajt, mësuesit e sëmurë po obligohen të mbajnë mësim gjatë COVID-19

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, në emisionin “Jeta në Komunë” ka thënë se disa komuna po i lënë të punojnë mësimdhënësit me sëmundje kronike edhe në kushte të pandemisë.

“Më e ndjeshme se 1000 gjysëm normat e premtuara, po ju garantoj se komunat e kanë dokumentin se janë siguruar buxhet për t’i kompensuar që zëvendësojnë me COVID-19, por më e keqe se kjo është mosrealizimi i plotë i vendimit të MASh dhe Qeverisë që të lirohet në procesin mësimor 300 mësimdhënësitë në nivel vendi të prekur  me sëmundje të rënda kronike”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se janë plotë komuna që kanë hezituar të bëjnë zëvendësimin e tyre.

“Shumica e komunave nuk e kanë zgjidhur si duhet këtë çështje”, shtoi ai.

Por, Ardiana Ismaili nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë tha se mësimdhënësit me sëmundje kronike në këtë komunë janë të liruar nga mësimdhënia.

“Po në Prishtinë janë të liruar edhe jemi duke i mbështetur në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit dhe s’kemi buxhet për kompensimin e tyre. Qeveria e ka ndarë buxhetin, por nuk e ka nda në vija ligjore”, tha ajo.

 

Edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica tha se 11 mësimdhënës të Gjilanit me sëmundje kronike janë në pushim.

“Ka një problem tek master plani, ne nuk kemi udhëzues akoma se si duhet të zbatohet master plani dhe kjo është një problem bazë, megjithatë ne mësimdhënësit me sëmundje kronike i kemi dërguar në pushim, nga 21, 11 janë në pushim”, tha ai.