Jasharaj e quan humor pa kripë deklaratën e ministres Nagavci `Pse po i kërkojnë 100 euro, e jo 300 ose 80`

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj deklarimeve të ministres së arsimit Arbërie Nagavci lidhur 100 eurot e kërkurara nga sindikatat në konferencën e sotme.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci pyeti SBASHk-un përse po i kërkojnë 100 euro shtesë, pse jo më pak ose më shumë, dhe pse vetëm për punëtorët e arsimit.

“Pyetja ime për SBASHK-un ka qenë pse pikërisht 100 euro, pse jo 300 ose 500 ose 80. Pse vetëm për punëtorët e arsimit e jo për punëtorët e tjerë. Ose pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë”- është shprehur Nagavci në konferencë.

Këtë deklarim Rrahman Jasharaj e ka quajtur humor pa kripë të ministres.

“Kur jemi të kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, Ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo, bie fjala, 300 euro. Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”- është shprehur Jasharaj.

Ai tutje shtoi se qasja e gabueshme e qeverisë ndaj sindikatave ka sjellë situatën deri te greva e përgjithshme.

“Qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe dialogut, krijimi i mjegullës me apo pa qëllim për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera dhe humori pa krip e kanë sjellë situatën deri të greva e përgjithshme dhe nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të  sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”- është shprehur më tej Jasharaj.

Tutje,  ndaj deklarimeve për hartim të ligjit të ri për paga, Jasharaj potencoi se as BSPK-ja , si përfaqësuese e shumicës së Federatave sindikale, as SBASHK-u si përfaqësuese e të punësuarve në tërë sektorin e arsimit dhe në shumë nga institucionet e kulturës, nuk kanë qenë të kyçur as edhe një herë në punën e komisionit hartues të Ligjit të pagave e po ashtu as edhe një herë nuk e kanë pranuar zyrtarisht versionin final të tij, i cili paska shkuar tani në procedura.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci në konferenën e sotme ka thënë se, greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim do t’i dëmtojë nxënësit si dhe është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim.

Nagavci: Greva e paralajmëruar shkel të drejtën e fëmijëve për arsim