Japin dorëheqje anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo kanë dhënë dorëheqje nga ky këshill.

Sipas burimeve të KALLXO.com brenda AKA-së anëtarët kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Po ashtu, KALLXO.com merr vesh se këta anëtarë nuk e kanë deklaruar asnjëherë pasurinë e tyre në AKK, që nga viti 2018 kur ishin emëruar në këto pozita nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsion për KALLXO.com.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar njoftimin nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2020 që në mesin e zyrtarëve të lartë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë janë tre zyrtarë ndërkombëtar  të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë, por të njëjtën informatë AKK nuk e ka poseduar në vitin paraprak”, është bërë e ditur.

Sipas AKK-së zyrtarët në fjalë nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë  dhe lidhur me këtë rast Agjencia kundër Korrupsionit ka ndërmarrë veprimet konform kompetencave ligjore të AKK-së.