Janjiq: Serbia po e paguan Grenellin 100 mijë dollarë në muaj për lobim

Ish i dërguari i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga shteti serb për lobim.

Kështu po pretendon analisti politik serb, Dushan Janjiq.

I pyetur nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq po paguan shumë për lobim, Janjiq ka thënë se “Serbia po paguan shumë” porse ai nuk e di shumën.

“Ne madje e paguajmë Grenellin 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, citohet të ketë thënë Dushan Janjiq, raporton portali “Antena M”.

Po ashtu, Janjiq citohet të ketë thënë se Serbia vazhdon të lobojë në mënyrën e vjetër, e cila, sipas tij, është “joproduktive”.

Richard Grenell ka qenë i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për negociatat Kosovë-Serbi.

Grenell është i njohur për qëndrimet kundër kryeministrit Albin Kurti.

Ditë më parë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kanë pasur presion nga Grenell për ta rrëzuar Albin Kurtin nga kryeministri në kohën kur LVV dhe LDK ishin në koalicion qeverisës gjatë Qeverisë Kurti 1.