Jakup Ismajli: Klinika e Gjinekologjisë është klinika më e përgatitur për lindje normale

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismajli, thotë se klinika më e përgatitur për një lindje normale të grave shtatzëna është klinika e cila udhëhiqet nga ai.

“Arsyeja, numri i gjinekologëve me përvojë, ku brenda një viti kryhen pothuajse nëntë mijë lindje”, thekson drejtori në emisionin “Kallxo Përnime”, duke potencuar se ndoshta Klinika e tij nuk i ofron kushtet luksoze mirëpo potencon se ofrohen kushte standarde për një lindje të rregullt dhe foshnje të shëndoshë.

Ai po ashtu bën të ditur se ka shumë raste ku nënat pas lindjes në klinika private kanë probleme shëndetësore dhe, sipas tij, adresën më të besueshme e kanë Klinikën e Gjinekologjisë.

Në një dhomë të Gjinekologjisë janë katër shtretër. Sipas tij, para katër viteve janë renovuar të gjitha dhomat e Klinikës.

Në anën tjetër, drejtori gjithashtu ka potencuar se vitin e kaluar Inspektorati Sanitar ka gjetur parregullsi në Klinikë.