Jahja Kokaj me kërkesë për Rrahman Jasharajn: T’u kisha lutë si vëllai- vëllait, ndaleni grevën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj sot në komisionin për Arsim i është lutur “si vëllai vëllait”, kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt që ta ndërpresin grevën në arsim.

Sipas Kokajt kjo është situatë drastike andaj fëmijët duhet të kthehen në shkollë.

“Është situatë drastike vëllezër dhe motra, kam lutje sy me sy, si vëllai ndaj vëllait, t’i ndërpresim sot grevat dhe pastaj bile këta njerëz këtu, që i kam përreth janë më juve. Hajde t’i ndërpresim sot, e pastaj gjendet modaliteti dhe t’i kthejmë fëmijët në shkollë. Tu kisha lutë shumë që ta ndërprisni grevën”, – ka thënë Kokaj.

Lidhur me këtë deklaratë, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva mbyllet kur vendos anëtarësia.

“Mos bëni debate të tilla, hajde t’i mshelim grevat sot, sepse në opinion po doni me forcua bindjen që janë tre katër njerëz që e ndalin grevën. Mosni kështu. Grevën e kemi shpallur ne më kërkesën e anëtarësisë dhe kemi nënshkrimet e tyre. Mbyllet greva kur anëtarësia thotë” – ka thënë Jasharaj.

Jasharaj dhe përfaqësues të tjerë të SBASHK-ut janë duke zhvilluar takim më komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës.

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend.