Jagxhiu: Nuk shohim rritje të sulmeve kibernetike në institucione, s'ka nevojë për panik

Lulëzon Jagxhiu nga Zyra e Kryeministrit thotë se po punojnë në përmirësim të fushës së digjitalizimit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se paralelisht me digjitalizim rritet edhe rreziku ndaj sulmeve kibernetike.

“Ne si Qeveri po punojmë shumë në fushën e digjitalizimit pasi kështu përmirësohet cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve, cilësia në arsim, shëndetësi. Sa më shumë që ka digjitalizim rritet edhe mundësia për ekspozim ndaj sulmeve kibernetike”, ka thënë ai.

Jagxhiu potencoi se po punojnë edhe në masat parandaluese për luftim të këtyre sulmeve në internet.

“Paralelisht me digjitalizimin po lëvizim edhe me masat parandaluese për luftim të këtyre sulmeve. Pra, punohet në aspektin e qëndrueshmërisë, në mënyrë që sistemet që sulmohen të kthehen sa më shpejt në funksion”, shtoi ai.

Kurse, sa i përket institucioneve të Kosovës, Jagxhiu thekson se nuk ka pasur rritje të sulmeve kibernetike dhe nuk ka nevojë për panik.

“Sa u përket institucioneve në Kosovë, deri tani nuk kemi parë sulme në rritje, pasi këto janë sulme të ndryshme, ato mund të targetojnë faqe të caktuara dhe ka të tilla që nuk kanë target por përhapen më emaila ose indirekt. Nuk ka hapësirë për panik në këtë fazë “, theksoi ai.