Jack Smith jep dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në Hagë

Jack Smith ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Prokurorisë Speciale) në Hagë.

Kryeprokurori Smith ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë.

Lajmin për largimin e tij nga proceset gjyqësore në Hagë e ka bërë të ditur Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhet në njoftim.

Smith, i cili Prokurorisë Speciale në Hagë i ishte bashkuar në vitin 2018, tani do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar raste të tjera.

Ai u emërua për të mbikëqyrur një nga hetimet të mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump.