Jack Smith: Arsyeja e mos dorëzimit të dosjes paraprake është rreziku i frikësimit të dëshmitarëve

Jack Smith, prokurori i Specializuar amerikan, ka deklaruar sot në seancën statusore që po mbahet kundër ish krerëve të UÇK-së, se arsyeja se pse nuk po dorëzohet më herët dosja paraprake është rreziku i frikësimit të dëshmitarëve.

Ai tha se dosja paraprake duhet t’i ofrohet mbrojtësve pasi të shpallët dita e fillimit të gjykimit.

“Janë viktimat që po presin të bëhet drejtësia, realiteti i kësaj çështje është rreziku i frikësimit të dëshmitareve dhe është fakt që ka një hendek të madh midis dorëzimit të dokumenteve dhe datës së gjyqit, kjo është e vërteta dhe për këtë nuk është folur”, tha Smith.

Ai shtoj se nëse lihet kohë në mes të dorëzimit të dosjes parapake dhe datës së fillimit të gjykimit, atëherë ekziston rreziku i frikësimit të dëshmitarëve dhe e gjitha kjo sipas tij duke u bazuar në historinë e frikësimit të dëshmitarëve.

Smith tutje tha se duke e pasur parasysh se katër të akuzuarit fuqishëm janë deklaruar të pafajshëm dhe se barra për ta vërtetuar të kundërtën i takon prokurorisë, duhet që sa më shpejtë të ofrohet mundësia që ata ta kenë ditën e tyre triumfuese në gjykatë.

Si përfundim Smith tha se prokuroria është për një gjykim sa më të shpejtë dhe një datë që lidhet me datën e ofrimit të dosjes paraprake pasi sipas tij kjo është mënyra më e mirë për ta menaxhuar këtë çështje dhe mënyra më mirë për Kosovën.

Pas këtyre deklaratave, reagoi avokati i ish presidentit Thaçi, David Hopper.

Hoper tha se prokurori Smith ka ardhur me një deklaratë të përgatitur, mirëpo duhet ta kuptoj se nxjerrja e materialeve nuk është metodë e duhur.

“E kuptoj se Smith ka ardhur këtu me një deklaratë të përgatitur por ndoshta po të kishte pasur më shumë fokus do të na ndihmonte më shumë. Smith mendon se sistemi i nxjerrjes së materialeve është më i miri i mundshëm, por nëse e qet veten në pozitën tonë do ta kuptoj se nxjerrja e materialeve është më pak e dobishme se sa në institucionet e tjera”, tha Hopper.

Fjalën e morri edhe avokati Ben Emersson i cili e kritikoi prokurorin Smith për qasjen jo etike.

“Smith foli shumë gjera, prania dhe kontributi i tij e ka quar çështjen përpara në shumë drejtime por ka hedhur dritë mbi taktikat që përdor prokuroria për trajtimin e kësaj çështje. Prokuroria nuk i ka përmbushur standardet bazë të sjelljes së vet, prokuroria nuk e sheh më funksionin e saj kryesor që është drejtësia e procedurës. Ata janë shumë të anshëm dhe nuk i marrin parasysh interesat e të akuzuarve”, tha avokati i Kadri Veselit.

Gjatë kësaj seance statusore u fol edhe për zbulimin e provave që i përmban aktakuza dhe edhe në ketë pikë pati përplasje në mes të prokurorisë dhe mbrojtjes.

Kjo është seanca e tretë statusore e cila po mbahet në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që prej kur u arrestuan në Kosovë.

Së fundi të katërt i janë drejtuar gjykatës së apelit të dhomave të specializuara me kërkesë për lirim me kusht pasi javë më parë kërkesat e tyre ishin refuzuar nga gjyqtari Nicolas Guillou.

Ata ishin arrestuar pasi ishin konfirmuar akuzat për krime të luftës kundër tyre.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.