Jabllanoviq pjesë e takimit të presidentes Osmani me partitë politike

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, është duke marrë pjesë në takimin konsultues me partitë politike, të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për caktimin e datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Jabllanoviq në këtë takim po merr pjesë si drejtues i Partisë së Serbëve në Kosovë.

Në takim nuk janë parë të jenë prezentë përfaqësues të Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Listës Serbe.

Jabllanoviq, i cili ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Isa Mustafës, më 6 janar të vitit 2015 në fshatin Zoqisht të Rahovecit i kishte quajtur “egërsira” gratë e Gjakovës që po atë ditë penguan pelegrinët serbë për të kryer ritet e Krishtlindjeve ortodokse në kishën e këtij qyteti.

Deklarata e ministrit Jabllanoviq nxiti protesta në disa qytete të Kosovës atë kohë, të cilat kulmuan me protestat e dhunshme në Prishtinë.

Ai u shkarkua në vitin 2015 nga posti i ministrit edhe po atë vit edhe nga posti i kryetarit të Listës Serbe.

Aleksandar Jabllanoviq në takimin e thirrur nga presidentja Osmani, Foto: KALLXO.com
Aleksandar Jabllanoviq duke shkuar në takimin e thirrur nga presidentja Osmani, Foto: KALLXO.com